Kalin: Asnjë plan në Mesdheun Lindor nuk mund të realizohet pa e marrë parasysh edhe Turqinë

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin deklaroi se nuk është e mundur të realizohet asnjë plan në Mesdheun Lindor pa e marrë parasysh edhe Turqinë.

Ibrahim Kalin bëri deklarata të rëndësishme gjatë kohës deri sa vazhdonte mbledhja e kabinetit, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve në interes të gazetarëve.

Zëdhënësi i Presidencës vuri në dukje se brenda vijës së sigurt të formuar me Operacionin “Burimi i Paqes” që po zhvillohet nga Forcat e Armatosura të Turqisë në lindje të lumit Eufrat mbretëron një ambient më i qetë dhe më i qëndrueshëm, ndërsa tha se “Fatkeqësisht terrori i YPG/PYD-së, fraksionit të organizatës terroriste PKK në Siri, vazhdon pandërprerë në këtë rajon”.

Kalin përmendi edhe rritjen e sulmeve të regjimit të Esadit ndaj Idlibit kohëve të fundit dhe shtoi: “Ne presim që me një armëpushim të ri që do të vihet në zbatim menjëherë të ndalen sulmet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është pritja jonë themelore nga Rusia. Duam t’ju kujtojmë se pala ruse ka një përgjegjësi më të madhe këtu”.

Ndërkaq në lidhje me çështjen e Mesdheut Lindor, Kalin tha se Egjipti, Izraeli, udhëheqja greko-qipriote dhe Greqia mbajtën disa mbledhje, arritën në marrëveshje dhe zhvilluan projekte mes tyre duke e përjashtuar Turqinë, ndërsa për këtë nuk reagoi askush.

“Kur Turqia arriti në marrëveshje me Libinë u hodhën disa pretendime që ajo veproi në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, bëri të ditur Kalin, ndërsa shtoi se “Në Mesdheun Lindor nuk do të jetë e mundur të realizohet asnjë plan, ku nuk do të jetë e përfshirë edhe Turqia”.

Zëdhënësi Kalin gjithashtu bëri të ditur se qeveria e Libisë ka bërë marrëveshje edhe me vendet si Italia dhe Franca dhe se askush nuk e mori në pyetje këtë.

“Askush nuk ka të drejtë të vë në dyshim legjitimitetin e marrëveshjeve të Turqisë. Por, si parim i përgjithshëm, të gjithë duhet të dinë që duke lënë jashtë Turqinë në Mesdheun Lindor nuk do të mund të vendoset një ambient i paqes dhe stabilitetit në këtë rajon”, deklaroi zëdhënësi Kalin.  /trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne