Kalin: Forca shumëkombëshe paqeruajtëse mund të vendosen në Siri

Forca shumëkombëshe mund të vendosen për të mbajtur paqen në zonat që ka rënë tensioni me qëllim kufizimin e gjakderdhjes në Siri, njoftoi të enjten zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin.

Në fillim të muajit maj, Turqia, Rusia dhe Irani kishin rënë dakord për krijimin e zonave pa konflikt me qëllim vendosjen e një armëpushimi në disa rajone të Sirisë, vend i shkatërruar nga një konflikt i përgjakshëm që zgjat prej më shumë se gjashtë vitesh.

Sipas Ibrahim Kalin, tre vendet kanë krijuar grupe pune të ngarkuara që të përcaktojnë mënyrat, të cilat duhen për të mbajtur paqen në këto zona, ku palët duhet të ndërpresin luftimet.

“Ndërmjet Turqisë, Rusisë dhe Iranit është ngritur një mekanizëm për zona pa konflikt në Siri. Tani grupet teknike po diskutojnë logjistikën e zonave të sigurta. Po punohet mbi një mekanizëm, ku, me shumë mundësi, në zonën e Idlibit, në veri të Sirisë, do të vendosen forca kryesisht turke dhe ruse; përreth Damaskut kryesisht trupa ruse dhe iraniane; kurse në rajonin e Deras, në jug të Sirisë, mund të vendosen forca jordaneze dhe amerikane. Presim që kjo të marrë një trajtë më konkrete deri në takimin e korrikut në Astanë”, tha zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

Pas vlerësimeve në lidhje me zonat e sigurta në Siri dhe zhvillimet që shtrihen nga Astana deri në Gjenevë, ambasadori Kalin bëri me dije para gazetarëve edhe se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahrejni kanë hartuar një listë me kërkesa për Katarin.

“Katarit do t’i mbërrijë një listë përmes Kuvajtit. Në listë do të renditen kërkesa konkrete dhe ato çfarë duhet të bëjë Doha. EBA, Bahrejni, Egjipti dhe kryesisht Arabia Saudite, pra, 4 shtete në total, deklaruan se do të përcjellin kërkesat e tyre. Me shumë gjasa, kjo listë kërkesash do t’i shkojë palës katarase brenda disa ditëve në vijim. Natyrisht që këtë çështje do ta ndjekim edhe ne”, sqaroi zyrtari turk.

Mes të tjerash, Ibrahim Kalin dha gjithashtu informacione rreth bazës ushtarake, që Turqia do të ndërtojë në Katar.

“Kalendarin për këtë e ka formuar Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke dhe çdo gjë do të jetësohet në kuadër të këtij plani. Qëllim i bazës në fjalë s’është të përbëjë kërcënim apo rrezik kundër ndonjë vendi të tretë. Ne po e bëjmë këtë për sigurinë e të gjithë rajonit të Gjirit”, siguroi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne