Kalın: Hapat ndaj Katarit nuk i shërbejnë zgjidhjes së krizës

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, në lidhje me krizën diplomatike mes Katarit dhe vendeve të Gjirit, theksoi se hapat e ndërmarra ndaj Katarit janë joproporcionale dhe si të tilla nuk i kontribuojnë zgjidhjes së krizës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kalın shkroi një artikull që është publikuar në të përditshmen turke “Daily Sabah”, në të cilën ai iu referua krizës diplomatike mes Katarit dhe disa vendeve të Gjirit. Ai theksoi se kriza, edhe pse që nga fillimi i saj kanë kaluar tre javë, ajo po vazhdon me të njëjtin intensitet.

Ai tha se nismat për zgjidhjen e krizës ende nuk janë treguar të suksesshme, kryesisht për shkak të propagandës dhe presionit politik. Kalın ka theksuar se kjo krizë ka treguar se sa punohet në Gji për një sistem të brishtë në rajon, më saktësisht tregon jostabilitetin në marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Evropën dhe SHBA-në.

Sipas tij, Katari ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se mbështet terrorizmin. Kalın ka thënë se Katari, siç do të bënte çdo vend tjetër në një pozitë të ngjashme, ka kërkuar të shohë prova konkrete.

“Pa dyshim kemi akuza të rënda, të cilat zyrtarët e Katarit i marrin seriozisht, por ende nuk kanë marrë kurrfarë prove në lidhje me mbështetjen për organizatat terroriste në Gji, Siri apo në ndonjë zonë tjetër. Gjithashtu theksojnë se bllokada që është imponuar ndaj Katarit nuk është e drejtë, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe se prishin miqësinë dhe vëllazërinë ndërmjet vendeve muslimane. Pasi që nuk është treguar asnjë provë se ky vend mbështet terrorizmin, kërkesat e tyre janë logjike. Hapat e bëra në drejtim të Katarit janë joproporcionale dhe si të tilla nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës. Qeveria e Katarit ka njoftuar se nuk do të negociojë derisa të mos hiqet bllokada. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj thirrje dhe të heqin bllokadën e tyre për fillimin e procesit të dialogut dhe negociatave”, konsideron Kalın.

Ai theksoi se Turqia në këtë periudhë ka bërë përpjekje të rëndësishme për zgjidhjen e krizës, kurse Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në disa raste, në bisedë me mbretin Selman bin Abdulaziz, ka thënë se Arabia Saudite, si vendi më i fuqishëm në rajon, në këtë proces duhet të luajë një rol të rëndësishëm.

“Turqia me një qëndrim të tillë qartë ka treguar se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë vendi në rajon. Për dallim nga disa propagandistë që duan me pretendimet e tyre të minojnë marrëdhëniet turko-arabe dhe të përfitojnë nga kjo krizë, Turqia ka shprehur dëshirën që kriza të zgjidhet në mënyrë paqësore”, tha Kalın, duke shtuar:

“Të gjitha palët duhet të punojnë drejt një qëllimi të vetëm dhe duhet të lënë mënjanë interesat e vogla dhe objektivat e ndryshme. Natyrisht, në këtë pikë ne duhet të vërejmë se nuk bëhet fjalë vetëm për akuzat për terrorizëm, por ka një kornizë gjithëpërfshirëse”.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni, më 5 qershor njoftuan ndërprerjen e të gjitha lidhjeve diplomatike me Katarin, të cilat e akuzojnë për destabilizim të rajonit, ku mbyllën hapësirën ajrore për Katarin dhe urdhëruan diplomatët e Katarit që të largohen nga vendi brenda 48 orëve. Autoritetet e Jordanisë gjithashtu i janë bashkuar Arabisë Saudite dhe vendeve tjera dhe njoftuan ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne