Kalin: Turqia synon të garantojë kthimin e sigurt të refugjatëve në Siri

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin, ka deklaruar se Turqia synon të garantojë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë që po i strehon në vend.

“Ne duhet të kujdesemi për sigurinë tonë kufitare dhe të sigurohemi që refugjatët sirianë të kthehen në shtëpitë e tyre nga kanë ardhur në mënyrë të sigurt dhe vullnetare”, tha Kalın në një intervistë për Al Jazeera.

Kalın po ashtu foli për një operacion të mundshëm ushtarak turk kundër organizatës terroriste PKK/YPG në veri të Sirisë.

“Qëllimi aktual është krijimi i një zone të sigurt që do të shërbejë për dy qëllime, njëri është sigurimi i kufirit të Turqisë me Sirinë duke eliminuar elementët terroristë si DEASH dhe PKK/PYD/YPG, ndërsa tjetri është krijimi i një hapësire që refugjatët të kthehen vullnetarisht dhe në mënyrë të sigurt”, tha Kalin.

Kalın theksoi se aksioni i mundshëm ushtarak turk nuk synon të transformojë strukturën demografike të rajonit.

“Ne nuk kemi asnjë interes për të ndryshuar demografinë në Siri. Ishte PYD/YPG-ja që në të vërtetë ndryshoi demografinë në lindje të Eufratit duke pushtuar këto qytete dhe fshatra arabe, qytete turkmene ose qytete e fshatra të krishtera, duke i detyruar njerëzit të largohen ose të vendosen në vende të tjera”, tha Kalin.

Sipas tij, disa aksione të PKK/YPG/PYD-së lidhur me shpërnguljen e njerëzve përbëjnë krime lufte.

“Në fakt ‘Amnesty International’ dhe ‘Human Rights Watch’ publikuan dy raporte të ndara për këtë. Dhe një nga raportet pretendonte se në të vërtetë disa nga gjërat që bëri PYD/YPG në disa prej këtyre qyteteve arabe janë krime lufte. Askush nuk ka raportuar për këtë, sepse është kundër këtij tregimi se PYD/YPG po lufton kundër këtyre barbarëve të DEASH-it. Por në fakt, është një organizatë terroriste marksiste dhe leniniste që ka shtypur, vrarë dhe detyruar popullin kurd të shkojë në vende të tjera”, deklaroi Kalin.

Kalın po ashtu shpjegoi se Turqia dëshiron të krijojë një zonë të sigurt në veri të Sirisë.

“Turqia është e vendosur të pastrojë ato zona nga çdo element terrorist. Ne do t’i kthejmë ato vende përsëri te banorët e zonës. Refugjatët sirianë kanë refuzuar të kthehen në vendet e kontrolluara nga PYD/YPG, sepse ata kurrë nuk ndjeheshin të sigurt atje. Por në Jarablus dhe Al-Bab, si dhe në vende tjera të cilat ua kemi kthyer përsëri banorëve të zonës, më shumë se 350 mijë refugjatë sirianë janë kthyer në shtëpitë e tyre”, theksoi ai.

Kalın foli edhe rreth asaj pse sirianët nuk ndjehen të sigurt në rajon.

“PYD/YPG ka sulmuar, vrarë ose rrëmbyer jo vetëm arabët e kurdët dhe të tjerët që nuk pajtohen me ideologjinë e tyre, por edhe fëmijët e krishterë. Komuniteti sirian ‘syriac’ disa herë është prononcuar në lidhje me këtë, se PYD/YPG ka rrëmbyer fëmijët e tyre të krishterë për t’i regjistruar në radhët e tyre”, tha Kalin.

Kalın po ashtu përmendi përpjekjet e Turqisë për t’i dhënë fund terrorizmit në Siri.

“Ne kemi bërë më shumë se çdo vend tjetër kur bëhet fjalë për të luftuar ISIS-in ose DEASH-in. Turqia po ashtu ka bërë më shumë se çdo vend tjetër kur kemi eliminuar më shumë se 3 mijë terroristë në zonën Jarablus”, tha Kalin.

Ai theksoi se PKK-ja është një organizatë terroriste e listuar si e tillë në Evropë, SHBA dhe në vende tjera.

Kalın shtoi se është me të vërtetë një ironi e historisë që SHBA të zgjedhë një organizatë marksiste-leniniste si një aleat.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpitë e tyre.

Turqia që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, duke u zotuar për veprime ushtarake për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne