Kampet e refugjatëve palestinezë: Dëshmitë e Nakbas … dhe Nakba e dëshmive

Dr. Mohsen Mohammad Saleh

Sot, 64 kampe refugjatësh palestinezë (RC) qëndrojnë si dëshmitare të Nakbas (katastrofës) që goditi popullin palestinez në vitin 1948, kur banda sioniste shkuli më shumë se 57% të popullsisë së Palestinës nga vendi i tyre.

Nga këto kampe, 58 janë të regjistruara në UNRWA, dhe janë të shpërndara 19 në Bregun Perëndimor (BP), 8 në Rripin e Gazës (RRG), 10 në Jordani, 9 në Siri dhe 12 në Liban. Përveç kësaj, ka 3 kampe në Jordani dhe 3 të tjera në Siri që nuk janë të njohura nga UNRWA. Gjithashtu, ka pasur 4 kampe në Liban; tre prej të cilave janë shkatërruar, ndërsa i katërti u mbyll pas zhvendosjes së banorëve të tij.

Numri i refugjatëve palestinezë të regjistruar në UNRWA aktualisht qëndron në rreth 5,4 milionë deri në fillim të vitit 2017. Megjithatë, ky numër nuk përfshin të gjithë refugjatët palestinezë, sepse shumë palestinezë refuzuan të regjistroheshin në UNRWA, pasi nuk kishin nevojë për shërbimet e saj. Për më tepër, shumë palestinezë nuk janë regjistruar sepse banojnë jashtë zonave të veprimtarisë së UNRWA-s, të cilat janë të kufizuara për Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin.

Që nga fillimi i vitit 2017, numri i vërtetë i refugjatëve arriti në rreth 8.490.000, duke përfaqësuar gati 66.8% të popullsisë së përgjithshme palestineze, e cila është 12,7 milionë. Këtu ne shtojmë në refugjatët e vitit 1948 numrin e madh të njerëzve “të zhvendosur” nga BP dhe RRG, të cilët jetojnë jashtë Palestinës historike dhe nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre. Ka edhe rreth 150 mijë palestinezë, të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, por kanë mbetur në territoret e pushtuara palestineze të vitit 1948.

***

Që nga fillimi, kampet palestineze kanë qenë ndër dëshmitë më të qarta të Nakbas për popullin palestinez, si dhe një nga simbolet më të mëdha të vuajtjes palestineze, duke shërbyer si provë e gjallë e krimeve të bandave sioniste kundër palestinezëve. Në mënyrë të ngjashme, ato qëndrojnë si disa nga shenjat më të mëdha të durimit, vullnetit dhe vendosmërisë palestineze, duke këmbëngulur se zhvendosja është e përkohshme në pritje të një kthimi në Palestinë. Megjithatë, këto kampe, sidomos në diasporë, kanë qenë subjekt i fatkeqësive, pasi ka pasur disa praktika të cilat kanë shërbyer për të shtrembëruar realitetin e kampeve, duke u përpjekur për t’i devijuar ato nga lufta e tyre origjinale.

Jo të gjithë refugjatët palestinezë jetojnë në kampe këto ditë, pasi që nga fillimi i zhvendosjes, shumë kanë jetuar jashtë. Banorët e tjerë të kampit kanë lëvizur gradualisht në vende të tjera, ose për shkak se kushtet e tyre të jetesës janë përmirësuar, ose për shkak se ata duhet të lëviznin për të punuar në vende të ndryshme brenda apo jashtë vendeve pritëse, ose për shkak se kampet e tyre u ishin nënshtruar sulmeve ushtarake, dhe kështu kushtet e sigurisë i detyruan ata të largoheshin. Prandaj, përqindja e banorëve të kampeve nga numri i refugjatëve të regjistruar është: 51% në Liban, 42% në Rripin e Gazës, 30% në Siri, 24% në BP dhe 17% në Jordani; një normë mesatare prej 28.7% sipas UNRWA-s.

Në ditët e para të zhvendosjes, shumë palestinezë duke shpresuar për një kthim të shpejtë, refuzuan t’i kthenin çadrat e tyre në ndërtesa; Megjithatë, vuajtjet e gjata imponuan një realitet të ri mbi ta, kështu që atyre iu desh të përshtateshin gradualisht me gjendjen e tyre … Si rezultat, kampet morën formën e ndërtesave të thjeshta, të mbipopulluara, pa organizatë civile, infrastrukturë dhe shërbime, duke u bërë kështu një version i modernizuar i vuajtjeve të përditshme të vazhdueshme.

Në Liban, për shembull, numri i palestinezëve që jetojnë në kampe është dyfishuar ndërkohë që autoritetet kanë ndaluar zgjerimin e kufirit. Palestinezëve iu është dashur të intensifikojnë ndërtimin brenda kampeve, gjë që ka rezultuar që një e treta e shtëpive të mos marrin rreze dielli dhe që shumë nga rrugicat të mos jenë në gjendje për të akomoduar makina, apo edhe për të lejuar lëvizjen e mobiljeve, të cilat janë dashur të lëvizen mbi çati. Ata mezi mund të strehojnë një apo dy njerëz që ecin rastësisht, me mbështjelljen e kabllove elektrike mbi ta. Elektriciteti pritet për orë të gjata, me një mesatare prej jo më pak se 12 orë në ditë. Në të njëjtën kohë, rreth tre të katërtat e refugjatëve jetojnë nën nivelin e varfërisë, ndërsa autoritetet libaneze i ndalojnë palestinezët të punojnë në shumë fusha të punësimit dhe u mohojnë atyre të drejtat e pronësisë.

Pavarësisht nga fakti se kampet janë bërë vatra të “varfërisë dhe shtypjes”, ato janë bërë njëkohësisht vatra të revolucionit dhe të rebelimit ndaj realitetit, duke u bërë modelet e dinjitetit dhe nacionalizmit palestinez, duke refuzuar kolonizimin dhe duke kërkuar për t’u kthyer. Për këtë arsye, kampet palestineze kanë qenë terreni themelor i revolucionit dhe i rezistencës palestineze. Banorët e kampit kanë qenë ndër iniciatorët dhe pjesëmarrësit më të shpejtë të veprimit kombëtar, veçanërisht të rezistencës të armatosur.

***

Në vitin 1974, forcat ajrore izraelite shkatërruan të gjithë kampin në Nabatiyeh, duke shpërngulur rreth tre mijë banorët e tij. Në verën e 1976, Forcat e Partisë al-Kataeb (e krishterë) dhe aleatët e tyre rrethuan kampin në Tel al-Za’tar, duke e shkatërruar përfundimisht pas 52 ditëve të rezistencës, duke lënë tre mijë banorë të vrarë, shumica civilë, dhe rreth njëzet mijë të zhvendosur përsëri. Në shtator të vitit 1982, masakra e Sabras dhe Shatilës u zhvillua në duart e të njëjtave forca, nën mbulesën ushtarake izraelite, duke vrarë rreth tre mijë palestinezë dhe libanezë; Kjo gjakderdhje u bë një nga dëshmitë më të shquara të vuajtjeve të popullit palestinez në vendet e strehimit.

***

Kushtet e brendshme të disa vendeve arabe dhe axhendat politike të regjimeve u pasqyruan në komunitetet palestineze që gjetën veten e tyre pas dekadash të qëndrimit në kampet “tranzit” të refugjatëve. Kjo ndodhi me regjimin libian të Gadafit, i cili i pa palestinezët, pas marrëveshjes së Oslos, si “materiale njerëzore”, që do të përdoreshin si një taktikë presioni gjatë përleshjeve të tij me udhëheqjen e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO). Mijëra palestinezë u vendosën në anije dhe kamionë në përgatitje për dëbimin e tyre … në afërsi të kufirit egjiptian, në Salloum, u ndërtua kampi i refugjatëve; regjimi libian e quajti atë ”Kampi i Kthimit”, ndërsa palestinezët e quajtën atë “Kampi i Turpit”.

Në Irak, palestinezët paguan një çmim të madh pas pushtimit amerikan në vitin 2003; një rritje të trazirave politike dhe atyre të sigurisë dhe një përshkallëzim të grindjeve sektare. Si rezultat i propagandës ogurzezë dhe nxitjes së mediave, shumë palestinezë u vranë dhe u zhvendosën për shkak të identitetit të tyre. Për ta u krijuan kampe, kryesisht në kufi me Jordaninë dhe Sirinë, të tilla si al-Awda, Ruwaished, Treibil, al-Hol, el-Tanf dhe Velidi. Numri i palestinezëve u tkurr nga rreth 44 mijë para pushtimit amerikan, në rreth 6 mijë tre vjet më vonë.

Kampi Nahr al-bared, i dyti më i madh në Liban, ku në vitin 2007 jetonin rreth dyzet mijë njerëz, u shkatërrua si rezultat i një problemi, edhe pse kampi në vetvete nuk ishte pjesë e tij. Në rrethana të dyshimta, grupi Fatah al-Islam, i cili u nda nga grupi Fatah Al-Intifada, hyri në kamp. Në mesin e anëtarëve të tyre kishte libanezë, sirianë dhe shtetas të tjerë arabë. Sjellja e tyre nxiti popullin e kampit për të mbajtur një demonstratë në të cilën ata kërkuan largimin e këtyre anëtarëve.

Kur anëtarët e Fatah al-Islamit sulmuan ushtrinë libaneze, asnjë qasje politike, sigurie apo gjyqësore nuk u mor për kryesit e krimeve, por në vend të kësaj, çështja u rëndua në një ndërhyrje ushtarake në të cilën i gjithë kampi mbajti barrën e grupt të pranishëm. Kampi u shkatërrua dhe gjysma e popullsisë së saj u detyrua të largohet; rreth 3,200 shtëpi u shkatërruan pjesërisht ose plotësisht pas 106 ditëve të përleshjeve, pjesë e së cilave nuk ishin njerëzit e kampit.

Deri më sot, nuk ka pasur asnjë llogaridhënie të vërtetë në lidhje me ata që ishin përgjegjës për tragjedinë e kampit Nahr al-bared, apo se cilat parti lehtësuan hyrjen e këtyre elementeve në Liban dhe pozicionimin e tyre në kamp, ​​dhe pse deri tani – pas rreth dhjetë vitesh – kampi është rindërtuar vetëm pjesërisht pavarësisht nga disponueshmëria e fondeve?!

***

Në Siri, kampi Yarmouk në periferi të Damaskut qëndron si një nga fatkeqësitë më të mëdha që kanë ndodhur në kampet palestineze gjatë gjithë historisë së tyre. Ky kamp, i cili mendohet të jetë një nga më të mëdhenjtë në diasporën palestineze, dhe në të cilin 144 mijë njerëzit dikur banonin në bazë të UNRWA-s, është tani një shtëpi për vetëm disa mijëra (vetëm tre mijë sipas specialistëve). Populli i këtij kampi ka vuajtur jashtëzakonisht shumë si rezultat i konfliktit të brendshëm në Siri, dhe është përballur me vendime të vështira për shkak të polarizimit ndërmjet regjimit sirian e aleatëve të tij dhe fraksioneve të ndryshme të opozitës, si dhe polarizimit mes fraksioneve të ndryshme palestineze. Që nga mesi i prillit 2015, kampi Yarmouk ka vuajtur 628 ditë në rrethim të vazhdueshëm, 728 ditë ndërprerje energjise dhe 218 ditë ndërprerje të ujit.

Në kontekstin e konfliktit sirian, kampet e tjera e pësuan gjithashtu në shkallë të ndryshme. Për shembull, 70% e ndërtesave në kampin Daraa janë shkatërruar, ndërkohë që refugjatët palestinezë në kampet al-Raml, Ein el-Tal (Handarat) dhe el-Sabina… i janë nënshtruar zhvendosjes, pa i lejuar ata që të kthehen.

Si rezultat i situatës në Siri, 175 mijë nga 600 mijë palestinezë kanë qenë të detyruar të emigrojnë jashtë vendit, dhe rreth 225 mijë kanë lëvizur në zona më të sigurta brenda vendit. Që nga mesi i shkurtit 2017, rreth 3.440 palestinezë u vranë në Siri sipas të dhënave nga ana e Grupit të Veprimit për palestinezët e Sirisë.

***

Në vitet e fundit, situata ka pasur gjithnjë e më shumë të ngjarë që të shpërthejë në një shkallë të madhe në kampin Ein al-Hilweh, i cili është një nga kampet më të mëdhenj në Liban, dhe një nga simbolet më të mëdhenj në diasporën palestineze. Përleshjet që ndodhën në fund të shkurtit 2017 ishin shenja të dhunës dhe tensionit, diçka që kampi ka dëshmuar nga koha në kohë. Rreth shtatëdhjetë mijë palestinezë jetojnë në këtë kamp, zona e së cilëve nuk i kalon dy metra katrorë. Ata vuajnë nga infrastruktura të shkatërruara, shërbime të dobëta shëndetësore dhe arsimore dhe norma të larta të varfërisë dhe papunësisë. Meqë autoritetet libaneze nuk e ushtrojnë sigurinë dhe kompetencat e tyre administrative në kamp, ​​dhe meqë kampi është i kontrolluar nga fraksionet dhe forcat kontradiktore palestineze, ai është bërë një vend polarizimi dhe konflikti, ku partitë rajonale dhe lokale janë përpjekur të fitojnë pikë dhe të “shkëmbejnë mesazhe”. Ai ka qenë gjithashtu një destinacion për të arratisurit e kërkuar nga autoritetet libaneze dhe të tjera. Në të njëjtën kohë, ushtria vendosi një kordon sigurie rreth tij për të kontrolluar hyrjen dhe daljen.

Deri më tani, palestinezët kanë arritur pothuajse ta mbajnë kampin larg nga konfliktet rajonale, grindjet sektare dhe ndarjet lokale dhe të jashtme, të cilat janë pasqyruar në shkallë të ndryshme në varësi të fraksioneve rivale brenda kampit dhe partive që i mbështesin dhe i financojnë ato. Megjithatë, kampi është i vendosur mbi një “fuçi baruti” që mund të shpërthejë, duke pasur parasysh situatën vazhdimisht të brishtë të sigurisë si rezultat i paaftësisë së forcave brenda kampit për t’i dhënë fund krizës administrative dhe për të kontrolluar sigurinë e tij.

Përveç kësaj, autoritetet libaneze ngurrojnë të vendosin kontrollin e tyre mbi të, sepse ato nuk duan të mbajnë përgjegjësitë ekonomike dhe sociale në lidhje me refugjatët, dhe për shkak të çmimit të lartë dhe rezultateve të pasigurta lidhur me një përpjekje për të çarë brenda në kamp dhe për ta kontrolluar atë. (Për më shumë informacion, ju lutem referojuni Vlerësimit Strategjik të publikuar nga Qendra al-Zaytouna në mars të vitit 2017 në lidhje me kampin Ein El-Hilweh).

***

Së fundmi, të gjitha sa u thanë, përbëjnë një përgjegjësi të madhe për forcat, institucionet dhe fraksionet palestineze që të kryejnë detyrat e tyre ndaj popullit palestinez dhe kampeve të tyre. Ata nuk duhet t’i angazhojnë kampet në problemet e brendshme të vendeve pritëse; duhet të ruajnë imazhin e ndritshëm të kampeve në luftën dhe rezistencën e tyre, ndërsa përpiqen në mënyrë të patundur me organet zyrtare për t’i pajisur ata me kujdesin e nevojshëm, me mbështetje, infrastrukturë, mundësi punësimi dhe shëndeti dhe me shërbime arsimore.

Ata duhet të kërkojnë që palestinezëve t’u jepen të drejtat e tyre për të jetuar me dinjitet, duke përfshirë të drejtën për punë dhe pronë, në mënyrë që t’i shpëtojnë ata nga rënia pre e papunësisë, frustrimit dhe ekstremizmit, dhe për të parandaluar shfrytëzimin e nevojave të tyre materiale nga forcat e ndryshme për axhendat e tyre.

Ndoshta organizatorët e Konferencës për Palestinezët Jashtë Vendit, e cila është themeluar kohët e fundit, janë duke i kushtuar vëmendje të veçantë kampeve në diasporë dhe kushteve të tyre, duke u përpjekur për zhvillimin e tyre dhe për të mbështetur rezistencën e tyre. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne