“Kamza njësoj si Brukseli, madje mund t’ia kalojë…”

Në 13 shkurt të këtij viti në emisionin “Stop” u transmetua ankesa e një grupi banorësh të Laknasit, në zonën e quajtur “Plepat e Brukes”, bashkia Kamëz. Ata thanë, se jetonin këtu prej 300 vjetësh, por rastësisht mësuan se bashkia ia kishte dhënë pyllin me qira një shoqërie, që kishte si synim ta shndërronte në stallë bagëtish.

Për të arritur këtë qëllim, pylli është regjistruar si zallishte. Kërkesat zyrtare e peticionet, nuk morën asnjë përgjigje nga bashkia Kamëz dhe as nga portali i bashkëqeverisjes.

Kryebashkiaku aktual Rakip Suli, thotë se është vënë në dijeni këto 45 ditë, që është në detyrë dhe ka biseduar me subjektin, që t’i pezullojnë punimet, sa të shprehet Prokuroria.

Tani Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ia pranoi kërkesë-padinë banorëve dhe ky ishte suksesi i parë i çështjes në fjalë.

“Ne kemi ngritur padinë për 3 objekte vlerësimi të situatës që nuk është zallishte, por është pyll kundër lejes së ndërtimit dhe lejes zhvillimore. Duke shfrytëzuar hapësirat që na jep ligji ne kërkuam sigurim padie, që të ndërpritej zhvillimi i punimeve deri në përfundimin e kësaj padie. Dhe kështu ne arritëm ta bindim gjykatën që të marrë masën e sigurimit“, thotë avokati Sinan Tafaj.

Eksperti i mjedisit, Sazan Guri, që ka bërë aktin e ekspertimit, thotë se është bërë një shkelje shumë e rëndë, pasi nën hijen e një agrobiznesi është bërë kasaphanë mjedisore.

“Kjo është dita edhe këtë e tregon si natë, nga pyll e quan zallishte. Aktiviteti është me shkronja të mëdha agrobiznes, por në fakt kemi të bëjmë me një stabiliment të mbarështimit të gjedhit, pastaj një tjetër stabiliment të mbarështimit të gjedhit, pastaj një stabiliment për thertore dhe pastaj një piccolo restorant i vogël, që quhet agrobiznesi. Është në anë të lumit, që duhet të kishte një distancë 100 m, me ligjet e sotme të baseneve ujore. Por, ndërkohë me ligjin e dalë pas lejes, këto duhet të jenë 1000 m larg shtretërve të lumit, 2000 m larg banorëve, 2000 m larg zonave të mbrojtura“.

Sipas Gurit, zona e Kamzës është e tejngopur me thertore dhe numri i tyre arrin në 4.

Sazan Guri: Brukseli me 8 milion banorë ka 4 thertore, gjithsej në total, vetëm Kamza me 140 mijë banorë ka 4 thertore.

Gazetarja: Nëse shtohet dhe kjo thertorja tjetër…

Sazan Guri: Venë 5 thertore në Kamëz..

Gazetarja: Ja kalojmë dhe Brukselit?

Sazan Guri: Po, ja kalojmë dhe Brukselit…/tvklan.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne