Në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen të dielën në Serbi, janë 11 kandidatë në listë, ku Aleksandar Vuçiç është favoriti kryesor, një ultranacionalist, dy liberalë proevropianë dhe një kandidat grotesk.
ALEKSANDAR VUÇIÇ, 47 vjeç
Para se të bënte në vitin 2008 një kthesë liberale dhe proevropiane që i hapi rrugën e pushtetit, kryeministri serb kishte qenë një fajkua ultranacionalist, ministër i Informacionit i Slobodan Milosheviç gjatë luftës së Kosovës.
Kryetar i pakontestueshëm i Partisë Serbe për Progres (SNS, qendra e djathtë) dhe të vendit të tij, ai shprehet se “nuk e fsheh që kam ndryshuar… jam krenar për këtë”.
Kundërshtarët e tij e kritikojnë për autoritarizëm, kundërshtimin e çdo kontradikte dhe për theksin e tij populist. Nga ana tjetër ai i vë në pah paaftësinë e kundërshtarëve të tij për të kontestuar lidershipin e tij për shkak të mungesës së mbështetjes popullore.
VOJISLAV SHESHELJ, 62 vjeç
Ai nuk ka ndryshuar. Ultranacionalisti i shfajësuar në vitin 2016 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare mbi Jugosllavinë për akuzat për krime lufte, vazhdon të mbetet një praktikues i provokimit që e kishte vënë në shërbim të nacionalistëve serb gjatë konfliktit të viteve 1990 më ish-Jugosllavi. Ai u lirua në vitin 2014 pas 12 vitesh burgim.
Pasi mori pafajësinë ai është rikthyer në skenën politike, duke mbështetur një aleancë me Rusinë dhe braktisjen e çdo aderimi në BE, duke djegur flamujt e Evropës, SHBA-së dhe Kroacisë. Adhurues i Donald Trump, pasi kishte qenë i ish-kryetarit të ekstremit të djathtë francez Jean Marie Le Pen, ai ka thënë se do të ngrejë një mur për të penguar çdo fluks migrantësh.
SASHA JANKOVIÇ, 46 vjeç
Kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokrate (qendra e majtë), ai ka filluar karrierën e tij si gazetar, para se të bëhej funksionar.
I emëruar ndërmjetës i Republikës në vitin 2007, ai arriti të krijojë famë dhe popullaritet në klasën e mesme urbane dhe liberale, duke kritikuar veprimet e autoritetit. Ai shprehet se kërkon t’i kthejë qëllimin institucionit të presidentit.
VUK JEREMIÇ, 41 vjeç
Kandidat fatkeq në garën për sekretar të përgjithshëm të OKB-së, shumë afër presidentit liberal proevropian, Boris Tadiç (2004-2012), ky fizikant si formim dhe intelektual tejet i kualifikuar, vlerësn se “vendi i tij duhet të bëjë më shumë. Shumë njerëz jetojnë keq dhe janë jashtëzakonisht të zhgënjyer”.
Mbështetës i integrimit në BE, ka mishëruar gjithashtu, kur ishte ministër i Punëve të Jashtme i Tadiç (2007-2012), papajtueshmërinë serbe mbi Kosovën.
LUKA MAKSIMOVIÇ, 25 vjeç
Student në Komunikim, mishëron një personazh fiktiv, Ljubisa Preletaçeviç, alias “Beli” (i bardhë), që ka arritur të marrë mbështetjen e 13 000 votuesve, duke i mundësuar të paraqesë kandidaturën në presidenciale.
Një manipulues shumë i zoti i humorit, sipas sondazheve ka arritur të jetë rivali kryesor i Aleksandar Vuçiç.
Një fenomen ky që, për shumë, tregon nivelin e krimit në kalsën politike serbe, që nuk kërkon asnjëherë të rinovohet dhe jeton nën dyshimin e korrupsionit./ATA/