Kandidati i agjërueshëm i Vetëvendosjes: pse po na troket fitorja në zgjedhje

Pas një pune disa vjeçare në sektorin privat ka vendosur t’i kyçet politikës, vendim të cilin e ka marrë siç thotë duke parë hipokrizinë dhe papërgjegjësinë ndër vite të krijuar nga pushtetet e kaluara.

Beson fuqishëm se partia të cilës ju bashkua, Lëvizjes Vetëvendosje nën petkun e së cilës garon për deputet, do të ndryshojë për të mirë përspektivën ekonomike dhe standardin e jetës së qytetarëve.

Është ky Eman Rrahmani, i cili tregon se si është të trokasësh në dyert e qytetarëve në muajin e bekuar të Ramazanit dhe t’ua kërkosh votën, gjë të cilën e bën për herë të parë.

Rrahmani në një intervistë për tesheshi.com tregon se cili do jetë fokusi i tij nëse bëhet deputet, cilat janë gjasat që VV të fitojë zgjedhjet; jep mendimin e tij për dy koalicionet e mëdha, po ashtu flet edhe për çështje tjera.

Intervistoi: Blendi Gashi

A mund të prezantoheni së pari, kush jeni, nga vini, profesioni?

Jam Eman Rrahmani nga Prishtina. Kam të përfunduar studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Universitetin Mbreterorë “Iliria”, po ashtu edhe bachelor në drejtimin Biznes Ndërkombëtar po në “Iliria”. Nga viti 2004, punoj si menaxher në ndërmarrjen “Bini”.

Pse vendosët të merreni me politikë, dhe pse me VV-në?

Ka momente kur indiferenca barazohet me hipokrizi dhe papërgjegjësi, dhe kur ngopesh me tolerancën ndaj udhëheqësisë injorante e politikave antipopullore. Ky gërshetim rrethanash më nxiti të aktivizohem në politikë. Kur gjenë aq shumë njerëz të thonë se nuk ka qenë më keq as në kohën e pushtimit, s’ke çka pret më. Këtu vije më shumë se kurrë në shprehje besimi se gjënë e keqe duhet ta largosh “me dorë”, apo së paku ta kundërshtosh me fjalë. Oponenca pasive më nuk është opsion. Ka kaluar dhe duket se do të kalojë shumë kohë e populli të mos ketë ofertë më të serioze politike për të mbrojtur interesat e tij se sa ajo që e ofron Lëvizja Vetëvendosje. Konsistenca e saj në parime, saktësia e analizës dhe vendosmëria në veprime më ka joshur që t’i bashkohem.

Sot është dita e katërt e fushatës zgjedhore. Si po e shihni në përgjithësi dhe juve si po ju shkon?

Është një fushatë intensive, mjaftë sfiduese, madje rraskapitëse, sepse kemi përballë dy koalicione të mëdha të cilat diskursin e ndërtojnë kryesisht duke e sulmuar VV-në, e të cilat në fushatë i shfrytëzojnë resurset publike dhe posedojnë kapacitet të madh financiar e gjithëfarësh të akumuluar në mënyrë të pandershme përgjatë dy dekadave në pushtet. Por për mua është shumë frymëzuese mbështetja masive popullore e paparë deri më tani për Lëvizjen. Kjo më jepë kurajo për të përballuar ditë të gjata agjërimi, mbushur me tubime, mbledhje, udhëtime, ballafaqime e marrëdhënie intensive me publikun.

Cilat janë brengat më të mëdha të qytetarëve që po ju shprehin gjatë takimeve?

Është vështirë të veçosh. Duket se brenga më e madhe është mundësia që pushteti të mbetet i njëjti. Me të vijnë brengat për përspektivën ekonomike dhe për standardin jashtëzakonisht të ulët të jetës i cili sa vjen e përkeqësohet, kredibiliteti i tretur i institucioneve, arsimi e shëndetësia e degraduar e kështu me radhë.

Jeni kandidat nga VV për deputet. Cila do të jetë çështja e parë që do ta adresoni në Kuvend nëse fitoni besimin e qytetarëve?

Nuk varet tërësisht prej meje. Por unë i kam shpallur tri pikat kryesore të fokusimit tim: rinia si resursi kryesor dhe më i papërkujdesje deri më tani, bizneset e vogla dhe të mesme si dhe çështjet sociale, përkatësisht përmirësimi i kushteve jetësore për shtresën e varfër.

Pse vlerësoni që nëpërmjet politikës mund të bëni ndryshime ?

Politika është e pashmangshme. Madje edhe kur dikush vendosë të mos merret me politikë, ai vendim është shumë politik. Çështja është në zgjedhjen mes përfshirjes si subjekt në vendimmarrje dhe ngeljes në objekt të vendimmarrjes.

VV garon e vetme në zgjedhje. Çfarë gjasa ka partia juaj të dalë e para?

Gjasat janë më të mira se kurrë më parë. VV ka përjetuar rritje marramendëse në harkun kohor përgjatë legjislaturës së fundit. Zatën kjo ishte arsyeja përse dhjetëra parti tjera u koalicionuan për ta përballuar presionin popullor i cili po organizohet përmes Lëvizjes.

Po ç’mendim keni për dy koaliciont parazgjedhore?

Në shikim të parë duken të panatyrshme dhe shpesh janë cilësuar si të tilla, por në esencë janë të natyrshme. Është fjala jo për parti por për grupe mafioze pa ndonjë ideologji, pa koncepte të qëndrueshme politike, pa vizion për vendin, por ku përplasen egot e sforcuara. Ato i ndanë e i bashkon grykësia dhe orvatja për shmangie nga drejtësia. Me manovrën e fundit mbase ia kanë bërë një shërbim popullit, dhe kjo ka të bëjë me qartësimin e skenës politike, ku njëri pol mbetet Lëvizja Vetëvendosje, kurse tjetri përbëhet nga konglomerati i tubuar rrotull PDK-së, e ku bën pjesë edhe LDK.

Për fund si i shihni premtimet që po bëhet nga partitë përfshirë edhe VV gjatë fushatës zgjedhore?

Premtimet e grupeve mafioze kundrejt qytetarëve janë sa qesharake aq edhe dëshpëruese. Qesharake sepse s’kanë të bëjnë me realitetin, dhe dëshpëruese sepse shfaqin mospërfillje për hallet e popullit. Dikur bënin premtime për 200,000 vende pune, liberalizim vizash e njohje të reja, për të përfunduar me 150.000 refugjatë ekonomikë në Europë, getoizim e izolim të Kosovës; kurse tani shtojnë premtime për trefishim buxheti të shtetit mbrenda një mandati dhe gjepura të ngjashme. VV i ka publikuar 40 prioritetet e qeverisjes dhe i ka shtjelluar konkretisht secilën prej tyre dhe po vazhdon t’i prezentojë në fushatë. Në një skenë politike me prani të groteskut në këto përmasa siq bëhet në Kosovë, ofertat serioze dëmtohen nga mosbesimi i krijuar në popull karshi politikës. Por duket se megjithatë ka një masë kritike qytetarësh të interesuar që të na e japin një rast. Nuk do t’i zhgënjejmë. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne