Kartëmonedhat e reja/ Si të dalloni elementet e sigurisë së prerjeve 200 dhe 5,000 lekë

Prej disa ditësh, të gjithëve mund të na qëllojë që të marrim në duar kartëmonedhat e reja që janë hedhur në qarkullim prej 200 dhe 5,000 lekë.

Këto janë të parat që po hidhen në qarkullim nga seria e re e kartëmonedhave shqiptare që përbëhet nga 6 prerje: 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 2000 Lekë, 5000 Lekë dhe 10000 Lekë.

Hedhja në qarkullim e kësaj serie planifikohet të bëhet gradualisht sipas këtij rendi:

-kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019;

-kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga viti 2020;

-kartëmonedha 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2021;

-kartëmonedha 500 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.
Por, si të dalloni elementet e sigurisë për dy kartëmonedhat që tashmë kanë dalë në qarkullim.

Emetimi i një serie të re kartëmonedhash Lek nevojitet, pasi ato duhet të jenë të sigurta në çdo kohë. Teknologjia e prodhimit të kartëmonedhave është një fushë që zhvillohet vazhdimisht dhe falsifikatorët përpiqen ta zotërojnë atë. Seria e re e kartëmonedhave shqiptare është e pajisur me elemente të reja dhe më të sofistikuara sigurie.

Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit dhe elemente inovative.

Kartëmonedha 200 lekë

• Përmasat 138 mm x 69 mm

• Ngjyra Kafe

• Hedhur në qarkullim 30.09.2019

• Pamja e përparme: Portreti i Naim Frashërit dhe në sfond një libër i hapur.

• Tekstet: “BANKA E SHQIPËRISË”, “DYQIND LEKË”, “NAIM FRASHËRI 1846-1900”

• Pamja e prapme: Shtëpia e lindjes së Naim Frashërit, një fletë ku janë shkruar vargjet e tij “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqiptar”, pena e tij dhe nënshkrimet e drejtuesve.

Elementet e sigurisë, 200 lekë

Kontrollo nëse kartëmonedha është e vërtetë, përmes verifikimit të elementeve të sigurisë me metodën “PREK, SHIKO, LËVIZ”.

PREK

Preke dhe ndieje kartëmonedhën me gishta. Kjo kartëmonedhë është prodhuar prej materiali polimer, një përbërje plastike, që të jep një ndjesi të veçantë në prekje.

1 Shtypi i ngritur: Ndieje shtypin e ngritur te numrat, shkronjat, portreti, si dhe vijat e shkurtra përgjatë skajit të majtë dhe të djathtë të kartëmonedhës, që përbëjnë dhe elementin e njohjes së kartëmonedhës nga të verbrit.

SHIKO

Mbaje kartëmonedhën kundrejt dritës dhe shikoje me kujdes.

2 Dritarja: Në një dritare të tejdukshme shfaqet portreti i Naim Frashërit, vlera 200 Lekë dhe kolonada e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë.

3 Elementi i regjistrimit: Një figurë e stilizuar e shqiponjës ndodhet në të dy anët e kartëmonedhës. Të dy figurat duhet të përkojnë ekzaktësisht njëra me tjetrën.

LËVIZ

Lëvize kartëmonedhën në kënde të ndryshme shikimi, për të parë si ndryshon.

4 Shiriti i shndritshëm në zonën qendrore shfaq të shkruar vlerën 200 Lekë.

/Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne