“Kashmiri i bllokuar në një burg ushtarak”

Sipas një ekipi për gjetjen e fakteve të aktivistëve indianë që vizituan rajonin Xhamu dhe Kashmir të administruar nga indianët, i gjithë shteti i Kashmirit aktualisht është i bllokuar nën një burg dhe kontroll ushtarak.

Ekipi i Klubit të Shtypit të Indisë në datat 9-13 gusht vizituan pjesë të ndryshme të Kashmirit, pasi në fillim të këtij muaji rajonit iu revokua statusi i veçantë nga India. Në raportin e tyre të titulluar “Kashmiri i mbyllur në kafaz”, ata theksuan se populli shprehu dhimbje, zemërim dhe ndjenjë të tradhtisë ndaj qeverisë indiane.

Ndër vëzhgimet e tyre ishin se nenet 370 dhe 35A të anuluara nga India duke ndarë shtetin Xhamu dhe Kashmir në dy territore të bashkimit, nuk u mbështeten nga asnjë person që ekipi takoi në rajon, përveç zëdhënësit të pushtetit Bharatuya Janata (BJP) për çështjet e Kashmirit, Aswani Kumar Chrungoo.

“Vendimet e marra nga qeveria e kryeministri Narendra Modi janë imorale, anti-kushtetuese dhe të paligjshme. Mënyra e miratimit nga qeveria e Modi-t për të mbajtur rob popullin e Kashmirit dhe për të shtypur protestat e mundshme po ashtu janë imorale, anti-kushtetuese dhe të paligjshme”, tha Kavita Krishnan nga Partia Komuniste e Indisë, një nga aktivistët që udhëtoi për në Kashmir.

Raporti detajon ndalimet e dukshme të paligjshme nga forcat indiane me synimin e vetëm për të krijuar panik.

“Në çdo fshat që vizituam, si dhe në qendrën e qytetit Srinagarit, kishte shumë të rinj shkollorë dhe adoleshentë që ishin zgjedhur në mënyrë arbitrare nga policia apo ushtria paramilitare dhe mbaheshin në paraburgim të paligjshëm. Qindra djem dhe adoleshentë janë marrë nga shtretërit e tyre në bastisjet e mesnatës. Qëllimi i tyre me këto bastisje është krijimi i frikës”, tha ajo.

Raporti po ashtu dokumentoi përgjigjen joproporcionale nga forcat e shtetit, duke theksuar se “rreth 10 mijë persona protestuan në Srinagar më 9 gusht, por forcat indiane u përgjigjën me pushkë ajri duke plagosur disa”.

Ekipi është penguar të vizitonte Srinagar-in nga autoritetet.

Aktivistët akuzuan Klubin e Shtypit të Indisë për mosdhënien e lejes për të treguar video, si pjesë e prezantimit për situatën në terren në Xhamu dhe Kashmir pas heqjes së nenit 370.

Bllokimi indian i Kashmirit me shumicë muslimane ka qenë në fuqi që nga 5 gushti pasi qeveria revokoi statusin e veçantë të dhënë për rajonin Xhamu dhe Kashmir.

Rajoni i Himalajeve, ku ndodhet Xhamu dhe Kashmir, mbahet në pjesë nga India dhe Pakistani, por pretendohet në tërësi nga të dy vendet.

Që kur u ndanë në vitin 1947, India dhe Pakistani zhvilluan tre luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave ishin mbi Kashmirin.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, që nga viti 1989 mijëra persona janë vrarë në konfliktin në rajon./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne