Kasmi-Konjari, një histori biznesi dhe krimi

Me dy pistoleta me vete, armë automatike me silenciator dhe tre kilogramë kokainë në shtëpi, dhe emër i ndryshuar!

Ky është Devi Kasmi. Viktima.

41-vjeçari i vrarë dje me pesë plumba në kryeqytet te Pediatria. Një vrasje e përgatitur deri në detajin e fundit.

Për vrasjen është shpallur në kërkim Domart Konjari, një individ me rekorde të shumta kriminale.

 

VRASJA E KASMIT

I njohur më parë me emrin, Dëfrim, ai është djali i aktorit Bilbil Kasmi.

Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja. Pikërisht atje mendohet se kanë nisur konfliktet që sollën edhe ekzekutimin e tij.

41-vjeçarit Devi Kasmi iu bë atentat sapo doli nga pallati. Para pallatit qëndronte motori me 2 persona dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar.

Devi Dëfrim Kasmi rezulton i shpallur në kërkim në vitin 2010 për veprën penale të falsifikimit, pasi ishte dënuar nga gjykata e Pogradecit me 1 vit burg. Më 2014 ai u hoq nga lista e të shpallurve në kërkim.

 

PLAGOSJA E KONJARIT

Sipas burimeve policore, Kasmi nuk rezulton të jetë marrë me aktivitete të paligjshme në Shqipëri, por në Spanjë ku ka jetuar për shumë vite.

Kasmi ka tentuar të vrasë Domart Konjarin në Spanjë. Konjari u plagos me 5 plumba, por mbijetoi.

Pikërisht, për këtë arsye për vrasjen është shpallur në kërkim Domart Konjari.

VRASJA E KONOMIT

Një nga të dhënat që kanë siguruar blutë e kryeqytetit ka të bëjë me ndërrimin e emrit nga Dëfrim në Devi. Kasmi është hetuar për një ngjarje kriminale që ka ndodhur në qytetin e Tiranës.

Bëhet fjalë për vrasjen e Franc Konomit, më 8 korrik 2010, kur 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend. Kasmi dyshohej për vrasjen e Konomit, edhe pse të dy kishin qenë miq. Nga hetimi nuk u arrit të provohej implikimi i tij në ngjarje, dhe në rekordet e tij të mëparshme nuk ka asnjë proces gjyqësor apo dënim nga gjykata.

BIZNESMEN ME DY AKTIVITE

Devi Kasmi, apo Dëfrim Kasmi, në pronësi të tij regjistronte dy biznese, në njërin prej të cilët aksioner. Dëfrim Kasmi fillimisht ka regjistruar në emrin e tij një palestër të cilën e ka hapur në vitin 2002 dhe e ka mbyllur në vitin 2011.

Ndërsa më pas ai ka qenë aksioner në një shtypshkronjë që e ka vazhduar aktivitetin deri në vitin 2014. Pas mbylljes së biznesit të dytë dihen shumë pak gjëra për aktivitetin e viktimës, i cili sipas policisë dyshohet se ka patur edhe aktivitet kriminal.

KUSH ËSHTË DOMART KONJARI

Vrasësi i dyshuar, Domart Konjari ka dy vite ne arrati dhe akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”.

Domart Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze, pasi u kap në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, më 4 nëntor 2015, por me emër tjetër: Arben Lazri. Domart Konjari ishte person në kërkim.

Mirëpo, pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.

Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.

Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Sipas hetuesve francezë, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.

I PËRFSHIRË NË VRASJE

Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.

Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës.

Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.

LIRIMI I KONJARIT

Lirimi i Domart Konjarit nga ana e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda solli edhe një përplasje mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadori francez në Shqipëri, në atë kohë reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare.

Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë për vendimin e Apelit, duke nisur një inspektim për mënyrën se si u ndryshua masa e sigurisë ndaj Konjarit. Por megjithatë, Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2016, i dha të drejtë Apelit të Krimeve të Rënda duke rrëzuar rekursin e Prokurorisë.

SËRISH NË KËRKIM

Tashmë, Domart Konjari është shpallur në kërkim nga polcia, pasi ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e Devi Dëfrim Kasmit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne