Bota

Katari: Arabia Saudite të tregojë dëshmitë për akuzat dhe të heqë bllokadën

Autoritetet e Katarit i bënë thirrje Arabisë Saudite që Komisionit të pavarur ndërkombëtar t’i tregojë dëshmitë për akuzat që e ngarkojnë Katarin dhe të bashkëpunojë me Kuvajtin si ndërmjetës në zgjidhjen e krizës aktuale në Gjirin Persik.

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit njoftoi se ky vend mbështet normat juridike ndërkombëtare dhe se dëshiron që në mënyrë paqësore të tejkalojë krizën në rajon.

“I bëjmë thirrje hapur Arabisë Saudite që dëshmitë për pohimet dhe akuzat kundër Katarit t’ia tregojë Komisionit të pavarur ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me Kuvajtin si ndërmjetës në zgjidhjen e krizës”, thuhet në njoftimin me shkrim nga Doha.

Në njoftim poashtu u bëhet thirrje autoriteteve saudite që t’i japin fund bllokadës që ia imponuan Katarit më 5 qershorit të vitit 2017.

Nga Katari pohojnë se dhënia fund e krizës do të ishte e dobishme për popujt e të gjitha shteteve në Gjirin Persik, ndërsa autoritetet saudite të shtunën sërish akuzuan Katarin për mbështetje të terrorizmit dhe paralajmëruan vazhdimin e bllokadës.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti para rreth dy vitesh ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe imponuan bllokadë të plotë ndaj Katarit, i cili hedh poshtë akuzat për mbështetje të terrorizmit./AA

OPINIONE