Katari do të ndajë 480 milionë dollarë për palestinezët

Me urdhër të emirit sheikh Tamim bin Hamad Al Thani autoritetet e Katarit do të dhurojnë 480 milionë dollarë ndihmë për popullin palestinez, raporton Anadolu Agency.

Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit bëri të ditur se emiri Al Thani ka urdhëruar ndarjen e 480 milionë dollarëve për të ndihmuar palestinezët në rajonin e Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Gazën e bllokuar.

Në njoftim theksohet se kjo ndihmë është tregues për lidhjet vëllazërore, arabe dhe fetare mes popujve të të dy vendeve.

Katari në këtë mënyrë për nevojat e sistemit arsimor dhe shëndetësor në Palestinë do të sigurojë 300 milionë dollarë, ndërsa mjetet tjera do të dedikohen për ndihma humanitare.

Me një pjesë të mjeteve Katari do të mbështesë edhe programe të Kombeve të Bashkuara edhe projekte elektrifikuese në rajonet palestineze.

Katari gjithashtu i bëri thirrje pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare që të veprojë me përgjegjësi dhe të ofrojë mbështetje për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohet populli palestinez.

Kreu i Hamasit palestinez, Ismail Haniyya, falënderoi autoritetet e Katarit për ndihmën e paralajmëruar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne