Katari: E pamundur përmbushja e kërkesave të vendeve arabe

Shefi i diplomacisë së Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman al-Thani deklaroi sot se është e pamundur që të përmbushen kërkesat e vendeve arabe në kohën e krizës diplomatike në Gjirin Persik, në momentin kur po afrohet afati i dhënë këtij shteti për t’u përgjigjur.

Al Thani në konferencën për media në Doha tha se kërkesat e vendeve arabe, të cilat e kanë izoluar Katarin, “janë jo reale dhe të pazbatueshme”. Mbyllja e televizionit Al-Jazeera, ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbyllja e bazës ushtarake turke janë disa nga 13 kërkesat, të cilat 4 shtetet arabe i kanë dërguar Katarit për miratim. Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i kanë dërguar Katarit listën me kërkesa, të cilat duhen përmbushur në afat prej dhjetë ditësh nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet diplomatike dhe ekonomike. Katari ka hedhur poshtë akuzat e vendeve arabe se po e financon terrorizmin dhe po destabilizon rajonin. Në mesin e kërkesave janë disa kushte, për të cilat Katari ka bërë me dije se nuk do t’i përmbushë, siç është shuarja e Al-Jazeera. Vendet arabe kërkojnë nga Katari që të paguajë kompensimet për humbjen e jetës dhe humbjet tjera financiare, të cilat i ka shkaktuar politika e Katarit gjatë viteve të kaluara. Shuma e kompensimit, siç thuhet, do të konfirmohet në koordinim me Katarin. Katari duhet të ndalojë financimin e të gjitha grupeve ekstremiste, të cilat SHBA i konsiderojnë si terroriste, përfshirë Shtetin Islam, Vëllazërinë Myslimane, Hezbollahun libanez dhe degën e Al-Kaidës në Siri, të njohur si fronti Nusra. Nga Katari kërkohet që të mbyllë përfaqësitë diplomatike në Iran dhe të respektojë sanksionet amerikane të vendosura ndaj Iranit. Në listë kërkohet edhe ndalimi i bashkëpunimit ushtarak me Turqinë brenda vendit dhe harmonizimi i politikave ekonomike, ushtarake, sociale, politike me Këshillin për bashkëpunim të vendeve të Gjirit Persik. Nëse Katari pranon kërkesat, lista do të rishikohet një herë në muaj gjatë vitit të parë, pastaj çdo tre muaj gjatë vitit të dytë. Zbatimi i kërkesave do të vëzhgohet përgjatë dhjetë viteve të ardhshme./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne