“Katari është gati për të mbrojtur veten ushtarakisht nëse është e nevojshme”

Katari është i përgatitur të mbrojë veten nëse është e nevojshme, tha Ministri i Mbrojtjes Khalid al-Attiyah pasi Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti ranë dakord t’i japin Katarit edhe 48 orë të tjera për të përmbushur listën e kërkesave për t’i dhënë fund një bllokade të vazhdueshme.

Duke folur për Sky News, ministri tha se Katari ndihej sikur ishte “goditur me thikë nga ana e miqve”, duke hedhur poshtë akuzat e bëra nga katër shtetet arabe se vendi mbështet dhe strehon grupe terroriste.

“Unë shpresoj se nuk do të arrijmë në një fazë ku të bëhet një ndërhyrje ushtarake, por ne jemi gjithmonë të gatshëm,” shtoi al-Attiyah.

Në përgjigje të pyetjes nëse ministri besonte se fqinjët po kërkonin një ndryshim regjimi në Katar, Al-Attiyah tha se ata po komplotonin për të rrëzuar emirin e vendit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, i cili erdhi në pushtet në vitin 2013.

“Në vitin 1996 ka pasur një përpjekje të fortë për grusht shteti. Në vitin 2014 ka pasur një përpjekje të butë për grusht shteti. Në vitin 2017 ka pasur një përpjekje të butë për grusht shteti,” tha ai.

Al-Attiyah tha se qëndrimi i fqinjëve të Katarit ishte një përpjekje për të minuar sovranitetin e shtetit të vogël të Gjirit, dhe tha se vendet po shkelin konventat e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Katari hyri në një konflikt diplomatik me Arabinë Saudite dhe tre vende të tjera arabe, të cilat më 5 qershor prenë lidhjet me Katarin dhe mbyllën hapësirën ajrore të tyre për fluturime komerciale lidhur me mbështetjen e supozuar për terrorizëm.

Përpjekjet diplomatike për të zgjidhur krizën vazhdojnë me ndihmën e Kuvajtit, i cili gjithashtu ka propozuar të dielën zgjatjen e afatit për listën e kërkesave.

Katër vendet kanë kërcënuar të imponojnë sanksione të mëtejshme ndaj Katarit, nëse ai nuk përmbush listën e 13 kërkesave të tyre, të cilat iu paraqitën Dohas 10 ditë më parë.

Lista përfshin kërkesat që Katari të mbyllë një bazë ushtarake turke në Doha, të mbyllë kanalin televiziv Al Jazeera dhe të frenojë lidhjet me Iranin. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne