Katari ndalon hyrjen e produkteve nga Arabia Saudite

Po bëhet gati një vit që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti vendosën një embargo ndaj Katarit, me akuzën se po mbështet terrorizmin.

Kur përmirësimi i situatës duket ende larg, Katari ka vendosur të ndalojë hyrjen në vend të produkteve që kanë si origjinë pikërisht shtetet e mësipërme.

Katari, bën të ditur “Al Jazeera”, i ka urdhëruar dyqanet t’i heqin artikujt që vijnë nga një grup vendesh të udhëhequra nga Arabia Saudite.

Një direktivë e Ministrisë së Ekonomisë së Katarit ka urdhëruar zbrazjen e menjëhershme të rafteve nga produktet e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara, Bahrejnit dhe Egjiptit.

Duke iu referuar “përpjekjes për sigurinë e konsumatorëve,” qeveria e Katarit do të përpiqet po ashtu të pengojë hyrjen e këtyre produkteve nga vende të treta.

“Për të mbrojtur sigurinë e konsumatorëve në Shtetin e Katarit dhe për të luftuar trafikimin e mallrave, qeveria dha një direktivë për të gjetur furnizues të rinj të larmisë së produkteve të prekura nga masa,” thotë një deklaratë e qeverisë së Katarit.

Katër shtetet e përmendura më sipër i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin qershorin e vitit të kaluar, shoqëruar dhe me embargo ekonomike. Ndërsa importet e Katarit ranë me 40 për qind në javët e para të embargos, ato u stabilizuan me gjetjen e burimeve të reja të produkteve të nevojshme në vende të tjera, si dhe me hapjen e rrugëve të reja detare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne