Katari do të rrisë prodhimin e naftës dhe gazit, pavarësisht bllokadës

Eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror në botë, Katari, ka në plan të rrisë prodhimin me 30 për qind gjatë viteve të ardhshme pavarësisht konfliktit diplomatik të vendit me vendet arabe të Gjirit, tha shefi ekzekutiv i Qatar Petroleum, Saad Sherida al-Kaabi.

Ai u tha gazetarëve se Katari synon të rrisë prodhimin deri në 100 milionë tonë gaz natyror në vit deri në vitin 2024.

“Prillin e vitit të kaluar ne kemi njoftuar synimin tonë për të zhvilluar një projekt të ri të gazit në sektorin jugor të Fushës së Veriut që mund të targetohet për eksport,” tha al-Kaabi, duke shtuar se pasi të përfundojë brenda 5-7 viteve, projekti “do të rrisë prodhimin e Katarit në rreth gjashtë milionë fuçi naftë në ditë.”

“Ne do të mbetemi udhëheqësi i gazit natyror për një kohë shumë të gjatë,” tha al-Kaabi.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Katari po përballet me izolimin politik dhe diplomatik nga një bllok i vendeve arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite. Ata ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Katarin muajin e kaluar mbi mbështetjen e dyshuar të grupeve terroriste, një akuzë e mohuar nga Doha.

Prodhimi i tanishëm i naftës në Katar është rreth 77 milionë ton në vit dhe zgjerimi do të rrisë nivelet e prodhimit deri në ekuivalentin e gjashtë milionë barrelave me naftë në ditë, sipas al-Kaabi.

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë shtetërore tha se nuk do të shkurtojë furnizimet me gaz në asnjë vend, duke shtuar se sanksionet e imponuara nga katër vendet arabe nuk kishin ndikim në operacionet e firmës.

“Nëse disa kompani nuk duan të bashkëpunojnë me ne, është në dorën e tyre; Ne do të gjejmë partnerë të tjerë,” përfundoi ai.

Sipas al-Kaabit, Katari aktualisht nuk ka plane për të ndaluar eksportimin e gazit në Emiratet e Bashkuara Arabe nëpërmjet tubacionit të naftës Dolphin Energy. Ai, megjithatë, nuk përjashtoi një mundësi të tillë nëse kriza vazhdon.

Të shtunën, Katari hodhi poshtë një ultimatum nga blloku për të mbyllur një bazë ushtarake turke dhe për të mbyllur kanalin satelitor Al-Jazeera me bazë në Doha, duke thënë se “lista e kërkesave është bërë për t’u refuzuar”. Ai shtoi se ishte i gatshëm për dialog nën “kushtet e duhura.”

Arabia Saudite dhe aleatët e saj i kishin dhënë vendit një afat deri të hënën për të përmbushur ultimatumin, por ranë dakord të lejonin edhe 48 orë shtesë për vazhdimin e proçesit diplomatik.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, shejh Abdullah bin Zayed al-Nahayan tha të martën se vendet arabe ishin ende në pritje të përgjigjes së Dohas ndaj kërkesave të tyre nëpërmjet Kuvajtit ndërmjetës.

“Mendoj se është e parakohshme të flitet për sanksione shtesë … kjo varet nga ajo që do të dëgjojmë nga vëllezërit tanë në Kuvajt”, tha ai. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne