Bota

Katari: Vendimi për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike i pabazë

Autoritetet e Katarit janë shprehur të tronditur dhe të prekur nga vendimi i Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit theksohet se vendimi i Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërprerjen e marrëdhënieve bazohen në pretendime të pasakta dhe të pabaza.

Duke theksuar se Katari për disa kohë është përballur me komplote dhe fushata me qëllim të prishjes së këtij vendi, në deklaratën e Ministrisë thuhet se Katari është anëtar i Këshillit të Bashkëpunimit të shteteve të Gjirit, i lidhur me marrëveshje dhe angazhime në këtë organizatë, si dhe respekton sovranitetin e vendeve të tjera, nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve tjera dhe kur paraqitetet nevoja, ajo merr pjesë në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon.

“Fushata mediatike kundër Katarit nuk ka bindur kombet e Gjirit dhe për këtë shkak kjo krizë ka shkaktuar rritjen e tensioneve dhe sipas deklartave të vendeve mbi arsyet për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, është e qartë se bëhet fjalë për një tjetër segment të planifikuar të fushatës mediale kundër Katarit”, thonë nga qeveria e Katarit.

Nga Katari gjithashtu argumentojnë se fakti që vendimi mbi ndërprerjen e marrëdhënieve nuk është marrë nën kujdesin e Këshillit të Bashkëpunimit të shteteve të Gjirit, konfirmon se i njëjti është i pabazë.

Në deklaratë gjithashtu potencohet se është interesante se tre vendet e Gjirit, vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve e kanë shpallur së bashku me të njëjtin vendim të qeverisë së Egjiptit. Më tej thuhet se kjo lloj ndërhyrje në punët e brendshme të Katarit është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Autoritetet e Katarit thonë se këto vendime nuk do të ndikojnë negativisht tek qytetarët e këtij vendi si dhe tek të huajt që qëndrojnë në vend.

Autoritetet e Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe mëngjesin e sotëm kanë lëshuar një vendim për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe menjëherë më pas një vendim të tillë e ka lëshuar edhe qeveria e Egjiptit. Këto vende e akuzojnë Katarin për qëndrime armiqësore në rajon./ AA

Etiketa

OPINIONE