KATASTROFOLOGJIA E INTELEK(T)UALËVE FRANCEZË

Ismail BARDHI

 

Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërprisni leximin e tij!” Por, Ne do të bëjmë që mohuesit të shijojnë një dënim të ashpër dhe do t’i ndëshkojmë ata sipas veprave më të këqija që kanë bërë. (Fussilet, 26-27)

“Sikur njerëzimi qëmoti të kishte qenë i arsyeshëm, historia nuk do të ishte një kronikë e gjatë marrëzie dhe krimi”.

“Në botë kryesisht mbisundon e liga, ndërsa fjalën kryesore e ka marrëzia”. (Artur Shopenhauer)

Më 22 prill në gazetën Le Parisien u publikua një manifest për “heqjen e disa ajeteve kur’anore me arsyetimin se përhapin ide të dhunës dhe antisemitizmit”, që u nënshkrua nga 300 shkrimtarë dhe politikanë, përfshirë edhe ish-presidentin francez Sarkozy. Kjo kërkesë ma kujtoi rastin e Hallaxhit, i cili duke e parë dyfytyrësinë e fetarëve ose nënshtrimin e fesë ndaj pushtetarëve, me një thënie të shkurtër i zbret ata përtokë duke thënë: “Zoti juaj është nën këmbët e mia”. Në frymë të kësaj, ma merr mendja se këtyre “kërkuesve” do t’u thoshte: “ma puthshi prapanicën”.

Sinqerisht, u lodhëm me çmenduritë e botës, ta përdorim atë neologjizmin “katastrofologji”; kurrsesi nuk arrijmë t’i kuptojmë çfarë duan. Gjërat e tilla nuk i duron as arsyeja, as kultura e as shkenca, përpos “evladit edepsëz”, si Sarkoziu dhe çifti i tij, i cili është rritur nën hijen e Gadafit, respektivisht me paratë e tij. Mendësia e tillë bënte gjëra të tilla, edhe pse nuk ishte “i mençur” si këta 300 “mendje” franceze. Për arsye të çmendurisë së kësaj nisme nuk mund t’i kanalizoj as mendimet që më vijnë për të shkruar për këtë çështjeje të çoroditur. Pata menduar se nuk ka pasur çmenduri më të madhe se “ndalimi” i Zotit nga ana e evladit të Stalinit dhe Titos – pra Enverit, por ky rast e tejkaloi edhe atë. Kjo është e ngjashme me gurin që një budalla e hedh në pus, ndërsa qindra të mençur nuk mund ta nxjerrin. Kjo vërtet është krizë e madhe, në të cilën i shpallet luftë shpirtit primordial të përhershëm të njeriut, pa të cilin ai nuk ka mundësi të ekzistojë.

Në këtë mënyrë po dëshmohet se, megjithatë, kriza e vërtetë, që sot e dridh botën, nuk është as ekonomike, e as politike, po para së gjithash ne jemi në krizë të Zotit dhe njëkohësisht në krizë antropologjike. Sot të gjithë flasin për krizë ekonomike, edhe pse etika dhe përkatësia fetare në zhvillimin e forcave evropiane dhe interesit ekonomik bëhet përcaktuese. Kultura perëndimore është e organizuar shkallëshkallshëm sikur Zoti të mos ekzistojë. Shumica kanë vendosur që sot të veprojnë pa Zotin, siç thotë kardinali Sarah, duke u bazuar në thënien e Niçes, se Zoti ka vdekur: “Ne e kemi vrarë Atë. Ne jemi vrasësit e Tij dhe kishat tona janë varrezat e Zotit tonë. Një numër i konsiderueshëm besimtarësh e ka braktisur bashkësinë me Të. Ata nuk shkojnë më në kishë, ngaqë dëshirojnë ta shmangin aromën e përkatësisë së Zotit”. Por, nëse njeriu nuk e di më se kush është, ai nuk e di as se nga shkon. Këtu në skenë del një lloj paganizmi dhe idhujtarie, të cilin njerëzit e pranojnë më me dëshirë në vend të Zotit. Sot zotat “tanë” janë shkenca, teknologjia, paraja, fuqia e suksesit, liria e shpenguar dhe kënaqësia e pakufizuar.

Si e kreu bota perëndimore “vrasjen e zotit”? A është e mundur diçka e tillë? Natyrisht, për vrasjen e zotit nuk flasim tekstualisht, ngaqë Zoti nuk mund të vritet, e nuk mund të vritet/të ndryshojë as Fjala e Tij, ngaqë ajo “ruhet në një Pllakë të mbrojtur” (Kur’an). E sa për ata që nuk besojnë, ata nuk kanë kë ta vrasin. Por, ideja për Zotin, gjatë tre shekujve të fundit në Perëndim, përpiqet që në çdo mënyrë Atë ta “kompensojë” me ca ide të tjera. Dhe, çdo përpjekje e tillë gjithmonë na fut në njëfarë zëvendësuesi të hyjnisë ose në ideologji pseudoreligjioze, qoftë të karakterit politik, fetar ose shoqëror.

Fenomeni i “vdekjes” së Zotit është simptoma e gjendjes së frymës së qytetërimit perëndimor, si botë që sillet sikur të mos kishte nevojë për Zotin, që beson se mund të jetojë pa Zot, se feja është besëtytni, diçka që i përket së kaluarës, që është kapërcyer dhe që ka evoluar. Njeriu është bërë krijues i vetes dhe bota pa Zot, si analoge me çdo rend anti-tradicional dhe kundërthënës, është bërë për disa e vetëkuptueshme. Në Perëndim jetohet në indiferencë fetare ose me një kundërshtim të ashpër shekullar ndaj çdo koncepti monoteist. Zoti, për njeriun bashkëkohor, është bërë relikt i së kaluarës dhe prandaj në një qytetërim të madh, që ka dy mijë vjet që rritet mbi themelet judeo-kristiane, hapet një zbrazëtirë e madhe shpirtërore, që përpiqet të mbushet me mrekulli teknologjike. Perëndimi, kësisoj, e ka shfronësuar Zotin, të Cilin “e vret” në kulturën, kujtesën, ekzistencën dhe shpirtin e vet, ndërsa merret me rrënjët dhe pasojat e gjendjes së tillë.

Edhe nazistët edhe komunistët, “tekstualisht”, e vrisnin Zotin te njeriu, pra duke e vrarë njeriun, duke ia marrë lirinë dhe dinjitetin, njerëzinë thelbësore të tij; ata mohonin çdo rend hyjnor, ngaqë dëshironin ta vendosnin rendin e tyre. Që të dyja ideologjitë e vdekjes, ajo naziste dhe ajo bolshevike, janë ngjizur në filozofitë materialiste dhe nihiliste të shekullit të 19-të, për t’u zhvilluar në ideologji groteske, si pasoja të drejtpërdrejta të së a.q. vdekje të Zotit. Procesi i “vrasjes” së Zotit fillon nga Revolucioni Francez dhe këtë e ka thënë qartë Albert Camus-i tek “Njeriu rebel” (të mos harrojmë, Camus-i ka qenë intelektual majtist). Të gjitha projektet që kanë krijuar ndonjë rend të ri pa Zotin kanë përfunduar në diçka monstruoze. Bota bashkëkohore e sjell atë botë deri në karikaturë dhe groteskë, në deliriumin e paganizmit të ri, e krijon njeriun e ri, që tani do të duhej ta krijonte veten në aspektin biologjik, mendor dhe shoqëror.

Ja çka solli dhe çka është duke sjellë “Revolucioni” Francez. Arritëm disi ta kuptojmë fashizmin e komunizmin, patëm mundësi t’i durojmë masakrat franceze në Algjeri e gjetiu, kemi mundësi edhe të heshtim, por t’u kërkohet njerëzve diçka që nuk është e tyre – këtë nuk mund ta kuptojmë!? Sa herë që njeriu është munduar “të bëhet” si Zoti (ha-sha), ai ka dështuar. Prandaj edhe ky rast është mjaft nënçmues për njeriun e vogël dhe të madh, ngaqë – historikisht – çdo tentim i tillë ka dështuar. Librat e mëparshëm të shenjtë e kanë dëshmuar çmendurinë e politeizmit/idhujtarisë, pa marrë parasysh se ata “nuk” kanë ditur se çfarë janë duke bërë. Kur dikush si Ibrahimi/Abrahami i shembi idhujt dhe kur çifti i Sarkozy-t erdhi dhe e pyeti se kush e bëri këtë, ai u tha: “Pyetni ata!” Kjo përgjigje edhe më shumë i tërboi ata të idhujve, por ata më së shumti u çmendën për çmendurinë e tyre, andaj i thanë: “Ti a tallesh me ne? Këta nuk flasin, nuk dinë, këta janë nga guri, nga balta … nga kaçkavalli…” Sa mirë kanë thënë të urtët, si edhe  Ibn Halduni i harruar, se historia zhvillohet në mënyrë ciklike.

Perëndimin nuk e njohim si fushë ku janë “luftuar” zotat. E tillë është vetëm mendja e cila pandërprerë ka shkaktuar dhimbje dhe incidente psikologjike dhe e cila asnjëherë nuk është pajtuar me zbulimet që ka pasur mundësi t’i bëjë arsyeja në drejtimet e metafizikës dhe filozofisë, sepse çdo i mençur “pa Zot” në fund ka vepruar anasjelltas, duke dëshmuar se vetëm një Zot mund të na shpëtojë. Për momentin jemi të ballafaquar me krizën e mendjes së Perëndimit: ai, si duket, akoma nuk e ka të njohur krizën e vetvetes. Si është e mundur të kërkohet nga gjinia njerëzore një plagjiat apo të kërkohet nga ata ajo që nuk është e tyre, por që është Fjalë e Zotit, pavarësisht nëse ne e kuptojmë apo jo atë?! Nuk flas për Fjalën e Zotit në dimensionin metafizik, por për anën fizike të saj. Po të ishte Kur’ani i njerëzve – urdhëroni e bëjeni, pa marrë parasysh se “revolucioni” juaj dhe luftërat për mbrojtjen e të drejtave nuk ua lejon diçka të tillë. Ajo që Sarkozy ka “abuzuar” me paratë e Gadafit, kjo është diçka tjetër: ai ka qenë budalla që vetëm ky dhe çifti i tij e kanë përkrahur. Nuk ka pasur dëshmitar më të madh se Sarkozy dhe çifti i tij që me sytë e tyre e kanë parë sjelljen e atij maniaku ndaj femrës dhe abuzimin me të. I ngjashëm është edhe ky rast: si mund të lejojmë ne të preket diçka që nuk është e jona, që nuk është nga ne?! Nuk e di, por kjo çmenduri, e përdorur shpeshherë nga njerëz me fytyra të ndryshme, sinqerisht është bërë e padurueshme. Loja me metafizikën është loja më e trishtueshme që mund t’i ndodhë kohës sonë. Vaj halli për atë që prek aty pa të drejtë! Metafizika, si e tillë, ka qenë ajo që e ka mbajtur gjallë këtë Perëndim. Të gjithë filozofët janë filozofë për arsye se disa janë futur më thellë në metafizikë, disa kanë ditur edhe të dalin nga kriza e metafizikës, por asnjëri nuk ka lejuar që të jetë larg metafizikës. Ata me sinqeritetin më të madh kanë heshtur para Fjalës së Zotit. Filozofi Paskal me të drejtë ka thënë “hesht o mendje e çmendur, nënshtroju Zotit!”

Mos mendon dikush se fjala Kur’an është letra dhe shkronjat që i “prodhojnë” shtypshkronjat?! Fjala e Zotit është fjala që nuk mbështetet vetëm në shkronja dhe letra; ajo është e regjistruar në shpirtin njerëzor; ajo është fjalë e përhershme dhe e paprekshme, e cila mbrohet nga Zoti vetë dhe nuk guxon të ndryshojë. Ju “të brengosurit” thjesht mund të thoshit se nuk i pranoni dhe nuk i kuptoni këto ajete, që është e drejta juaj, por nuk është e drejta juaj të kërkoni nga besimtarët t’i largojnë, t’i fshijnë ato.

Ky manifest është plotësisht i mbështetur mbi mashtrim dhe joseriozitet, sepse kërkon diçka që nuk është e drejtë. Kjo është ngjashëm sikur të kërkohej ndryshimi i esencës, ta ndryshojmë esencën e krijimit, dëgjimit, shikimit, përjetimit, fluturimit, e kështu me radhë. Po ashtu, manifesti bën mashtrim kinse Kur’ani merret me antisemitizëm: në Kur’an nuk mund të gjeni asgjë që do të paraqiste kundërthënie midis ajeteve; në Kur’an flitet për drejtësi dhe padrejtësi/zullum; për besimin dhe mosbesimin; për besimtarët dhe jobesimtarët; pra, sa e urren Kur’ani “anti-semitizmin”, aq e urren edhe “anti-islamizmin”.  Kur’ani ka qenë dhe mbetet çelësi i shpëtimit. Kur’ani, edhe pse ka zbritur në gjuhën arabe, nuk është i arabëve, por është Fjalë e Zotit e përhershme për çdokënd.

Për fat të keq, ky nuk është rasti i parë i kërkesave të tilla “intelektuale” dhe “shkencore”. Ju kujtohet kur kërkuat që, patjetër, duhej të besonim se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni?! Fëmijët nëpër shkolla filluan të tallen me mësimdhënësit, me atë shembullin e majmunit që e zgjat dorën dhe këput mollën nga dega, ndërsa mësimdhënësi gëzohet se “teoria” po vërtetohet. Por, papandehur një nxënës i vogël pyet: “Por kush e vendosi mollën aty?”. Ju jeni duke na ballafaquar me gjëra të tilla: si do të mund t’ju mbrojmë ne para fëmijëve, ngaqë ju thoni se një pjesë e trupit tuaj nuk është e juaja. E të mos flasim për teoritë më qesharake të materializmit dhe marksizmit vulgar. Kështu siç keni filluar, unë do t’ju kisha propozuar diçka, aq më shumë që jemi në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili konsiderohet si përmbledhës i Shpalljes, duke u përsëritur në mënyrë metafizike Fjala e Zotit dhe duke u pastruar në formën më të lezetshme që mund ta përjetojë Fjala. Në këtë muaj është një natë që quhet Nata e Fuqisë (Kadrit), e cila është “më e hajrit se një mijë muaj”, diçka që besoj se ju nuk e kuptoni se çka do të thotë. Në këtë muaj muslimanët janë të ftuar nga goja e Profetit Muhammed a.s. që ta “kërkojnë” këtë natë, me lutje Zotit, dhe atë në pesë netët tek të muajit. Kështu, pse nuk kërkoni që këto net të hiqen nga kalendari, të mos ekzistojnë fare?!? E si t’ia bëjmë që Kur’ani zbret çdo vjet në muajin e Ramazanit?! Për ju Kur’ani thotë: “Sa për ata që mohojnë, njësoj është, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove – ata nuk besojnë. Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë; ata i pret një dënim i madh”. (Bekare, 6-7)

Ky Kur’an, që është Fjalë e pandryshueshme dhe e përhershme e Zotit, thotë (parafrazoj): Mos u habisni, se do të ketë njerëz që nuk e besojnë këtë Kur’an dhe atë e marrin për tallje. Por, ai po ashtu thotë: Ata që nuk besojnë do të digjen në zjarr të përsëritur dhe të përhershëm, derisa ta përjetojnë dënimin e merituar. Ky Kur’an thotë: “Allahu nuk i do zullumqarët”, pa marrë parasysh të çfarë përkatësie janë. Allahu thotë të kemi kujdes nga ata që merren me fitnen (ngatërresën), e cila është më e rëndë se vrasja; Allahu thotë: mos vrisni njerëz për arsye se nuk më besojnë Mua; Ai thotë: Luftoni kundër atyre që ju luftojnë juve, faktikisht – mbrohuni, mos lejoni të shkoni si “cjapi te kasapi”. Allahu thotë: mos u jepni pushtet atyre që vjedhin, atyre që bëjnë zullum, atyre që nuk e meritojnë pushtetin, atyre që përpiqen ta keqpërdorin pasurinë e popullit, pasurinë e atyre që iu takon; Kur’ani thotë: Mos u mashtroni nga fjalët e mira që nuk ndiqen nga vepra të mira.

Kur’ani prezanton ngjarje të shumta, si rastin e Habilit dhe Kabilit, rastin e kërkesës për qepë nga Benu Israilët, duke i pasur para vetes të gjitha të mirat e Zotit; rastin e tentimit për vrasje të Isait a.s. dhe shpifjeve për të ëmën, Merjemen. Allahu thotë: kini kujdes, mos bëni amoralitet; mos bëni tradhti bashkëshortore; largojuni kurvërisë. Allahu kërkon që të mos heshtim para të pavërtetës. Kur’ani na fton që të jemi të kujdesshëm ndaj prindërve dhe fëmijëve. Kur’ani thotë: Unë jam vula e shpalljeve; unë jam Fjala e Zotit e përhershme, që nuk mbështetet vetëm në shkronja dhe letër, por që përsëritet pandërprerë nën mbikëqyrjen e Zotit, andaj mos u besoni fjalëve të kota të francezëve të çiftit të Sarkozy-t. Ndërsa këtë e dëgjojnë me vëmendje vetëm zotëruesit e urtësisë dhe të mençurisë./ shenja

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne