Romë: Katolikët të zemëruar nga pema “rrjepacake” e Krishtlindjes

Qytetarët e Romës janë bashkuar në zemërimin kundër pemës së Krishtlindjes së këtij viti, e pagëzuar prej tyre si “Spelacchio”, që nënkupton “rrjepacake”.

Pema, që u tha dhe humbi të gjitha halat e saj vetëm dy javë pasi u vendos në sheshin “Venezia” të kryeqytetit italian, është kthyer në simbol të asaj që shumë e shohin si kalbjen qytetit të përjetshëm.

“Është një turp. Të vjen keq ta shohësh këtë pemë”, komentoi një banore, që e krahasoi atë me një pulë të rrjepur.

“Si mundën ta vendosin atë në një qytet si Roma?”, pyeti një banore tjetër.

Të shumta janë edhe komentet në rrjetet sociale, ku përdoruesit thonë me ironi se pema ka “vdekur” dhe pyesin se kur do të zhvillohet funerali i saj.

Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, një hetim paraprak zbuloi se pema nuk ishte mbuluar siç duhet gjatë transportit, nga dolomitet në veri të Italisë nga ku është marrë.

Shumë prej kryeqytetasve kanë drejtuar gishtin kundër kryebashkiakes Virginia Raggi e “Lëvizjes 5 Yjet”, e kritikuar mbi gjendjen e tmerrshme të qytetit.

Roma është zhytur në gjendje të mjerueshme vitet e fundit, me rrugët plot gropa, grumbuj mbeturinash dhe parqet e pa mbajtur, ku barërat rriten mbi një metër lartësi.

Edhe Papa Françesku ka kritikuar gjendjen e qytetit. Shpresat që pema 20 metra e gjatë e këtij viti të mund të përmirësonte disi atmosferën u zbeh shpejt. Grupi i konsumatorëve “Codacons” e quan atë një spektakël të turpshëm për qytetarët dhe turizmin.

Grupi kërkoi zhvillimin e hetimeve për të zbuluar përse ishin shpenzuar 50 mijë euro për transportimin e një peme të sëmurë, nga një pyll pranë kufirit me Austrinë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne