KE nuk merr parasysh kërkesën e Holandës për pezullimin e vizave për shqiptarët

Komisioni Evropian nuk e ka marrë parasysh kërkesën e Holandës për t’i pezulluar Shqipërisë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Lajmi aktualisht është raportuar nga Tirananews e cila citon një burim të saj.

Më 31 maj, Holanda i kërkoi Komisionit Evropian pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. Argumenti kryesor lidhej me kriminalitetin e lartë që kishte për autorësi shtetasit shqiptarë.

Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian ia paraqiti kërkesën Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos. Por afati për shqyrtimin e kësaj kërkese është një muaj dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka patur asnjë njoftim për zhvillime të mundshme rreth kësaj kërkese.

Sidoqoftë një burim i Tirananews.al ka treguar se KE ka vendosur të mos e marrë parasysh kërkesën e holandezëve. Tirananews citon një zëdhënës nga KE të ketë thënë kështu:

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza.

Nëse KE do ta miratonte kërkesën e Holandës, atëherë lëvizja e lirë për shqiptarët do të pezullohej për një afat 9 mujor, periudhë në të cilën KE do të kërkonte që Shqipëria të korrigjonte rrethanat e kontestuara nga pala pretenduese./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne