Bota

Kelmendi: Votat e Fjalës, janë transferuar tek partitë tjera

Kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi thotë se koalicionet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa e kanë dëmtuari partinë e tij duke ia mohuar të drejtën e të pasurit komisionerë në vend votime.

Kelmendi në një intervistë për KosovaPress tha se dëmtimi i Fjalës ka vazhduar edhe gjatë ditës së zgjedhjeve duke i shpallur të pavlefshme votat e tyre dhe duke i transferuar votat e Fjalës tek partitë tjera.

“Do të thotë koalicioni i PDK-së, koalicioni i LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë marr vendim që në çdo vendvotim t’i kenë nga 3 komisionerë secila parti 3+3+2, ndërsa neve na ka lënë pa asnjë komisioner. Qysh në fillim të procesit zgjedhor e kanë dëmtuar partinë Fjala, dëmtimi i dytë pas saj na ka ardhur në fazën e numërimit ku dëmtimi është bërë në tri forma, fillimisht duke i bërë të pavlefshëm fletëvotimet e partisë Fjala, pastaj forma e dytë ka qenë duke i transferuar tek partitë e tjera dhe forma e tretë duke mos i deklaruar fare. Do të thotë në këtë formë na kanë dëmtuar neve si parti ”, tha ai.

Kelmendi përveç koalicioneve dhe partive politike ka akuzuar edhe Komisionin Qendror Zgjedhor se ata e kanë caktuar formulën e komisionerëve për koalicionet dhe partitë sikur në odë të burrave, kështu duke iu krijuar atyre një terren shumë të mirë për fitore.

Kryetari i Fjalës tha se akuzat e tij drejtuar koalicionit PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR-Alternativa dhe Vetëvendosjes i ka të bazuara në deklarimet e komisionerëve të tyre të cilët sipas Kelmendit kanë pranuar se kanë manipuluar me votat e partisë Fjala.

“Disa prej votave kanë qenë tonat, kjo nuk është supozim i imi, nuk është dyshim i imi por është i argumentuar mbi deklaratat e komisionerëve të këtyre partive të cilët na kanë lajmëruar në vazhdimësi këtyre ditëve që i lamë pas. Qëndrimet e tyre kanë qenë shumë korrekte na kanë thënë në vendvotimet kur unë kam punuar votat e juaja nuk i kemi deklaruar fare, disa vota të juaja i kemi transferuar tek partitë tjera dhe disa vota të tuaja i kemi bërë të pavlefshme”, tha më tej Kelmendi.

Kelmendi pretendon se edhe gjatë fushatës është zhvilluar një propagandë e ashpër nga koalicionet PAN, LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje ndaj partisë Fjala se kinse është parti e re dhe nuk e kalon pragun zgjedhor.

“Është e vërtetë se gjatë fushatës është zhvilluar një propagandë shumë e ashpër ndaj neve se kinse ‘këta janë parti e re dhe mos iu jepni votën atyre se këta nuk e kalojnë pragun’ kjo ka qenë propaganda që e kanë zhvilluar militantët e partive të ndryshme por megjithatë ne kemi vazhduar, mbështetja e qytetarëve ka qenë mjaft e madhe por dëmtimin na kanë bërë pikërisht këto parti në procesin e numërimit të votave kur unë jo rastësisht i kam akuzuar edhe dje për vjedhje të votave”, tha Kelmendi.

Lideri i Fjalës ka qenë skeptik edhe për formimin e qeverisë së ardhshme. Për formimin e Qeveria ai dha dy mundësi, krijimi i një qeverie të brishtë ose zgjedhje të jashtëzakonshme.

“E di që kanë shumë probleme, e do që do të kemi ose një qeveri të brishtë e me numër shumë të vogël të cilët do ta mbështesin ose nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkoj përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Kelmendi që nga dita e zgjedhjeve ka drejtuar akuza ndaj koalicioneve PAN, LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke i konsideruar se ia vodhën partisë Fjala./kp/

OPINIONE