Këmbim territoresh me Serbinë/ Hyn në “rend dite” ideja: Veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës?!

Sonte është raportuar, se ideja për ndarje, ose ideja për këmbim të territoreve me Serbinë, është duke u përkrahur nga Serbia, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

“Klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve”, shkruan Express sonte.

Tutje thuhet se sipas burimeve të sigurta, Thaçi dhe Haradinaj, ka mundësi që idenë e tyre, e kanë prezantuar edhe tash në SHBA, në takimet që zhvilluan me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA.

“Për idenë e ndarjes së Kosovës së pari në SHBA kanë lobuar grekët, respektivisht Ministri i Punëve të Jashtme të këtij shteti”, ka thënë një burim i mirë informuar i Express në Washington.

Sipas këtij burimi, për këtë ide kanë qenë të informuar Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump, H.R. McMaster, dhe zëvendëspresidenti Mike Pence.

“Këtë ide e ka hedhur poshtë vitin e kaluar Mike Pence, në Samitin e Kartës Adriatikut që është mbajtur në Mal të Zi”, ka treguar ky burim, duke treguar që gjithashtu kundër saj është edhe McMaster.

Megjithatë, del që disa gjëra nuk janë krejtësisht siç shkruan kjo gazetë.

Lajmi.net merr vesh se është menduar për idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo e plasuar kohë më parë nga Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

“Me Serbinë duhet gjetur zgjidhje afatgjate, dhe kjo zgjidhje është shumë e mundur të jetë shkëmbimi i territoreve sipas idesë së Lutfi Hazirit. Një pjesë e veriut të Kosovës të shkëmbehet me Luginën e Preshevës”, thotë një burim për lajmi.net.

Megjithatë, thonë burimet, një gjë e tillë mund të ndodh vetëm nëse palët garantohet për shkëmbim transparent të territorit dhe qytetarët janë të informuar për çdo detaj.

“Kjo do të ishte zgjidhja e problemit shekullor shqiptaro-serb dhe Kosova më nuk do ta kishte problemin e kontestimit nga Serbia të shtetësisë së saj. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës do ta realizonin ëndrrën e tyre që të jenë pjesë e Kosovës dhe mos të mbesin peng i politikave diskriminuese të Serbisë”, vlerësojnë tutje burimet.

Lajmi.net ka tentuar të flas me zyrtarë nga presidenca dhe nga kryeministria për këtë ide, por nuk ka arritur të merr ndonjë qëndrim zyrtar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne