“Kemi dakordim të plotë për ruajtjen e integritetit territorial të Sirisë”

Sot në Ankara u mbajt samiti trepalësh mbi Sirinë, me pjesëmarrjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit iranian, Hassan Rouhani.

“Kemi dakordim të plotë për sa i përket ruajtjes së unitetit politik dhe integritetit territorial të Sirisë, ruajtjes së qetësisë në terren dhe gjetjes së një zgjidhjeje politike permanente për krizën siriane”, tha presidenti Erdogan në pjesën e hapur për media të samitit në rezidencën Çankaya.

Sipas presidentit turk, platforma e Astanës është “përpjekje unike” për të gjetur zgjidhje efektive për Sirinë.

“Jemi në një periudhë në të cilën duhet të marrim përsipër më shumë përgjegjësi për garantimin e paqes në Siri”, theksoi ai.

“Turqia ka qenë pranë popullit sirian në periudhat më të vështira dhe më të mundimshme”, shtoi Erdogan.

Ndërkaq, presidenti iranian Rouhani deklaroi se, “Irani beson se kriza në Siri mund të zgjidhet vetëm përmes rrugëve politike dhe me pjesëmarrjen e popullit sirian”.

Rouhani theksoi se prania e SHBA-ve në Siri nuk është legjitime dhe se forcat amerikane duhet të largohen nga rajoni sa më shpejt që të jetë e mundur

Poashtu edhe sipas presidentit rus, situata në zonën e deeskalimit në Idlib është shqetësuese, por ai theksoi se, “Me përpjekjet tona të përbashkëta është arritur stabiliteti në territorin sirian dhe niveli i dhunës është zvogëluar”.

Ky është samiti i pestë i këtij lloji për Sirinë sipas formatit të Astanas ku diskutohen zhvillimet e fundit në qytetin veriperëndimor Idlib, kthimi vullnetar i refugjatëve dhe zgjidhja politike për krizën në Siri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne