Kërcënime nga interneti/ U rritën gjashtë herë shantazhet ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Çdo tri ditë raportohet një incident

Në Shqipëri gjatë vitit 2019 janë gjashtëfishuar kërcënimet, përndjekjet dhe shantazhimet ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Kjo referuar raportit të 2-të Kombëtar për Internetin e Sigurtënë Shqipëri që u bë publik nga ekspertët e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.

Të dhënat kryesore të Raportit “Urrejtja ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Internet”, tregojnë se kërcënimet, shantazhi dhe përndjekja u raportuan jo vetëm nga fëmijët e moshës 15-17 vjeç, që përbëjnë grup-moshën kryesore të të ankimuarve, por edhe moshat e tjera.

Mungesa e dënimeve apo zvarritja e gjykimeve të rasteve të dhunës dhe ngacmimit seksual online, tregon se institucionet ligj-zbatuese nuk kanë teknologjinë dhe personelin e mjaftueshëm, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në mbarë vendin. Mangësitë në legjislacionin penal shkaktojnë çoroditje tek institucionet ligj-zbatuese, të cilat përballen me shkeljen e të drejtave të fëmijëve, përfshirë këtu krimet kibernetike dhe ngacmimet online.

Një gjetje që bën përshtypje gjatë vitit 2019, në lidhje me gjuhen e urrejtjes, është se të dyja gjinitë kanë patur incidente në internet thuajse në një masë të barabartë, krahasuar me vitin 2018, ku ankesat kryesore erdhën përgjithësisht nga vajzat.

Raporti tregon se çdo tre ditë një fëmijë raporton të paktën një incident për internet të pasigurt në Shqipëri. Rrjetet sociale janë edhe mjediset kryesore, ku fëmijët dhe të rinjtë raportojnë numrin më të madh të incidenteve online.

Instagrami është platforma në të cilën fëmijët dhe të rinjtë kanë ndeshur më shumë dhunë, bulizëm, abuzim apo vjedhje të profilit, pornografi të fëmijëve, nuditet apo gjuhë urrejtje

Për Instragramin janë paraqitur rreth 68% të ankesave, ndjekur nga Youtube me 17% dhe Facebook me 4%./TCH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne