Bota

Kërcënimi ndaj Turqisë me avionët F-35 është i pabazë

WASHINGTON – KASIM İLERİ

Nëse SHBA-të ndalin shitjet e avionit të gjeneratës së pestë F-35 për Turqinë, ose nëse Turqia tërhiqet nga projekti, atëherë kjo gjë do të sjellë dëme në vlerë prej miliarda dollarësh për Programin F-35, i cili arrin vlerën 400 miliardë dollarë, shkruan Anadolu Agency.

Debati për avionët F-35 erdhi pasi Ndihmës Sekretarja e Forcave Ajrore Amerikane, Heidi H. Grant, duke folur për sistemin mbrojtës ajror S-400 që Turqia do ta blejë nga Rusia, tha për mediat amerikane se Washingtoni mund ta ndalë shitjen e avionëve F-35 për Turqinë ose të zbatojë sanksione ndaj Turqisë për sa i përket këtyre avionëve.

Megjithatë, fakti që Turqia është një nga nëntë pjesëmarrësit e programit F-35 që nga fillimi dhe është prodhues i përbashkët i pjesëve dhe kontraktor për servisim motorik dhe porositës i tipit F-35A, dobëson mundësinë për ta nxjerrë Turqinë jashtë këtij programi.

Vazhdimi pa Turqinë i programit me kosto prej 400 miliardë dollarësh, për të cilin veçmë ka debate të mëdha në SHBA, supozohet se do të shtojë një ngarkesë prej 12 miliardë dollarësh për partnerët e tjerë.

Nëse merret parasysh edhe mbështetja teknologjike e kompanive turke për programin, atëherë tërheqja e Turqisë do të godasë në masë të madhe edhe avancimin teknologjik të projektit.

Siç vlerësohet, kjo gjendje e bën programin F-35 si një kartë për Turqinë, e jo për SHBA-të.

Mosmarrja e porosive nga Turqia do të kushtojë 12 miliardë e 360 milionë dollarë

Avioni F-35 prodhohet në tre versione, F-35A, i cili bën ulje dhe ngritje konvencionale, F-35B/STOVL, i cili bën ngritje të shkurtra dhe ulje vertikale, dhe F35C, i cili mund të ulet në aeroplanmbajtëse.

Kostoja për një avion të serisë F-35A, të cilën Turqia pritet ta marrë në vitin 2018, ishte 275 milionë dollarë në vitin e parë të prodhimit 2007, ndërsa ka rënë në 95 milionë nga korriku i këtij viti.

Ndërkaq, duke marrë parasysh ndryshimin, kostoja mesatare e një avioni F-35A për Turqinë shfaqet në vlerën prej 103 milionë dollarë.

Në këtë gjendje, nëse Turqia nuk merr 120 avionët e porositur, atëherë partnerët e programit F-35 do të ngarkohen me një kosto shtesë prej 12 miliardë e 360 milionë dollarë.

Kompanitë turke të mbrojtjes luajnë rol të rëndësishëm në projekt

Bashkëpunimi i Turqisë me gjigantin e mbrojtjes Lockheed Martin, kontraktorin kryesor të programit F-35, i njohur ndryshe si Programi i Goditjes së Përbashkët, daton që nga vitet 90, kur u bë blerja e avionëve luftarakë F-16.

Po ashtu, pritet që kontributi i kompanive turke të arrijë në gjithsej 12 miliardë dollarë për sa i përket furnizimit të pjesëve për programin F-35.

Dhjetë kompani turke, siç janë ASELSAN, Aviacioni Kale, Mikrovalë dhe Sistemet Elektronike (MiKES), ROKETSAN dhe Industria Turke e Aeronautikës (TUSAŞ-TAI), luajnë rol të madh në prodhimit e pjesëve dhe atë elektronik dhe furnizimin e motorëve.

Teksa ASELSAN zhvillon pjesët e rëndësishme të Sistemit Synues Elektrooptik të avionëve F-35, ajo po ashtu bashkëpunon me kompaninë amerikane Northrup Grumman për pajisjen CNI për kontroll të ndërfaqes.

Ndërkaq, TUSAŞ-TAI luan rol të rëndësishëm në trupin e avionëve, duke qenë burimi i vetëm jashtë SHBA-ve për pjesën e mesme të trupit, që është pjesa më e ndërlikuar.

TUSAŞ po ashtu bën edhe mbulimin e jashtëm dhe prodhimin e kapakëve dhe fiber kanalëve për ventilim.

Po ashtu, kompania me qendër në Ankara, AYESAŞ, është furnizuesi i vetëm i ndërfaqes për komandimin e largët raketor dhe kartave elektronike për ekranin panoramik për F-35.

Po ashtu, edhe MiKES siguron komponentët dhe pjesët e avionit F-35 për British Aerospace Engineering (BAE) dhe Northrop Grumman.

Ndërkohë, kompania ROKETSAN dhe agjencia shtetërore për hulumtime, TUBITAK, bëjnë zhvillimin, integrimin dhe prodhimin e Predhës Stand-Off (SOM) që përdoret si pajisje e montuar brenda në F-35.

Nëse merren parasysh të gjithë këto faktorë, ndër të tjera, thuhet se kërcënimet me përjashtim ndaj Turqisë si një nga partnerët kryesorë të programit nuk janë realiste.

OPINIONE