Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndryshon rregullat, drejtuesit e prokurorive zgjidhen pa veting

Me 6 vota “pro” dhe 3 vota “kundër”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi të mërkurën ndryshimin e rregullores për rekrutimin dhe karrierën e prokurorëve, duke i dhënë të drejtën vetes që të kryejë verifikimin e pasurisë dhe të figurës së prokurorëve që do të kandidojnë për drejtues të prokurorive, pa kaluar procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Gjithashtu, KLP-ja ka vendosur që t’i bëjë kontroll pasurie dhe figure kandidatëve që e kanë kaluar procesin e rivlerësimit për periudhën pas filtrimit të tyre nga KPK-ja dhe KPA-ja.

“Këshilli vlerësoi se procesi i vetingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë,” tha KLP-ja nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Këshilli shtoi se ligji i ngarkon në mënyrë eksplicite të drejtën dhe kompetencën për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit.

“Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit,” shtoi KLP-ja.

Ky vendim i KLP-së merr një rëndësi të veçantë pasi aktualisht, nga 29 prokurori rrethesh gjyqësore dhe 6 prokurori të apelit që ka Shqipëria, vetëm 3 drejtues kanë emërim të përhershëm, ndërsa pjesa tjetër janë me emërim të përkohshëm.

Ndërkohë, KLP-ja ku maxhorancën duhet ta kenë anëtarët e ardhur nga radhët e prokurorëve ka 2 vakanca, duke i dhënë maxhorancën anëtarëve jo prokurorë, të cilët nuk votohen nga Këshilli i Prokurorisë, por nga Kuvendi.

KRYETARI I KLP

I pyetur nga BIRN, lidhur me atë çfarë mund të sillnin ndryshimet e rregullores së karrierës së prokurorëve, kryetari i KLP-së, Genti Ibrahimi, tha se këto ndryshime synonin t’i jepnin mundësi Këshillit “të operojë më shpejt,” për promovimin e prokurorëve.

“Kur miratuam fillimisht rregulloren nuk ishim të vetëdijshëm për ritmet e procesit të rivlerësimit dhe për këtë arsye, u parashikua që do të priteshin institucionet e vetingut për një afat tremujor”, tha Ibrahimi në një intervistë nëpërmjet telefonit.

“Më e keqja që mund të ndodhi nga kjo vendimmarrje është një dublim i resurseve të institucioneve”, shtoi ai.

QENDRIMET KUNDER

Gjatë prezantimit të projekt-vendimit për ndryshimin e rregullores, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, tha se, procedura e ndjekur duke i kërkuar institucioneve të vetingut rivlerësimin me përparësi të kandidatëve për pozicione të ndryshme, mund të sillte vonesa.

“Nuk përmirëson apo përkeqëson ndonjë gjë ky vendim, por na jep mundësinë të operojmë më shpejt,” tha Ibrahimi për BIRN. Relatori i projekt-vendimit, Sandër Beci, u shpreh se rregullorja e miratuar më herët binte ndesh me Ligjin për Statusin e Magjistratëve, ndërsa vetingu po cenonte karrierën e prokurorëve.

“KLP-ja duhet te garantojë karrierën e prokurorëve,” tha Beci.

“Vetingu të mos cenojë procesin e rritjes në detyrë,” shtoi ai. Edhe anëtarët e tjerë jo prokurorë u shprehën dakord me nevojën e ndryshimeve në rregullore.

Tre prej katër anëtarëve prokurorë të KLP-së, Esmeralda Cami Keshi, Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri janë shprehur kundër ndryshimit të rregullores.

Në diskutimet në seancë plenare, ata këmbëngulën në rëndësinë e kryerjes së rivlerësimit të kandidatëve për drejtues prokurorie nga institucionet kushtetuese të vetingut. “Megjithëse jam anëtar i Komisionit të Karrierës nuk kam nënshkruar në këtë relacion,” tha prokurori Bujar Sheshi.

“Nëse bënim ato ndryshimet e rregullores, ishte e mundur të krijonim perceptim të gabuar të integritetit të Këshillit, nëse ne si Këshill e kalonim një kandidat dhe nëse KPK-ja e shkarkon,” shtoi ai. Sheshi vijoi se, KPK-ja mund ta ketë përfunduar hetimin administrativ për pjesën më të madhe të prokuroreve.

“Ne si Këshill, t’i japim një listë me kërkesën që brenda një afati njëmujor e tremujor të na japë një përgjigje,” tha Sheshi.

“Në rast se KPK-ja do të vonojë vlerësimin, edhe ne e kemi të gatshëm dhe e vlerësojmë,” shtoi Sheshi.

Anëtari, Kostaq Beluri, shprehu gjithashtu mendimin kundër ndryshimit të rregullores. Duke u bazuar në nenin 164 të Ligjit për Statusin, lidhur me “Dispozitat kalimtare për magjistratët e gjykatave dhe prokurorive të tjera”, ai theksoi se e konsideronte të domosdoshëm se ata që duhej të kandidonin për drejtues, duhej që më parë të kalonin vetingun.

“Situata që kalojmë është situatë kalimtare. Neni 164 i ligjit për statusin, parashikon se e gëzojnë statusin e magjistratit vetëm nëse e kalojnë vetingun,” evidentoi Beluri dhe shtoi se Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e KLP-së dhe të SPAK-ut kishin kaluar vetingun dhe pastaj ishin caktuar në pozicionet e tyre. “Unë, drejtuesin e një prokurorie e vlerësoj si një prokuror të SPAK-ut”, shtoi ai.

Prokurorja, Esmeralda Cami Keshi, pohoi se, rregullorja e miratuar një vit më parë kishte bërë interpretim të ligjeve në fuqi. “Vetë legjislatori ka ngritur institucione të specializuara për procesin e rivlerësimit, që janë KPK dhe KPA,” tha ajo.

Sipas saj, përcaktimet e rregullores së mëparshme nuk e ngadalësonin punën e këshillit.

“Rregullorja na ka garantuar që, veç lajmërimit të KPK-së për përparësinë e kandidatëve, mund të nisim edhe punën vetë, por që nuk mund ta përfundojmë vetë pa kaluar ky afat tremujor, pa marrë nga KPK-ja një përgjigje,” pohoi prokurorja Cami Keshi.

Zëvendëskryetari i KLP-së, Alfred Balla, tha se ishte e vështirë të përfundohej procesi i rivlerësimit për tre muaj dhe solli në vëmendje dy shembuj të vonesave me vite të institucioneve të vetingut./BIRN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne