Këshilli i Sigurimit të OKB-së kundërshton vendimin e Trumpit për Lartësitë e Golanit

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u mblodh të mërkurën me kërkesë të Sirisë, pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi të hënën një dekret që “njeh zyrtarisht sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit”.

“Nëse do të lejohej që Lartësitë e Golanit të kontrolloheshin nga regjimi sirian dhe Irani, ky do të ishte një injorim i sulmeve të regjimit, Iranit dhe Hizbullahut ndaj Izraelit”, argumentoi Rodney Hunter, shef i Zyrës së Koordinimit Politik të Misionit të Përhershëm të SHBA-së në OKB, gjatë fjalës së tij drejtuar Këshillit të Sigurimit.

“Ky vendim është me rëndësi kritiko-strategjike për sigurinë e Izraelit dhe SHBA-ja beson se do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit”, shtoi ai.

Rodney Hunter theksoi se megjithatë vendimi i SHBA-së për Lartësitë e Golanit nuk do të prekë Forcën e OKB-së për Vëzhgimin e Mosangazhimit (UNDOF) në linjën e armëpushimit Siri-Izrael dhe se ky mision paqeruajtës duhet të qëndrojë në rajon.

Mirëpo Uashingtoni nuk gjeti aspak mbështetje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku bëri çmos për të mbrojtur këtë vendim të njëanshëm. Këshilli i Sigurimit hodhi poshtë kategorikisht vendimin e administratës amerikane për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Golanin e pushtuar sirian.

Të gjithë anëtarët e Këshillit, përveç SHBA-së, e dënuan ashpër veprimin duke paralajmëruar se ai rrezikon stabilitetin rajonal dhe minon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Vladimir Safronkov, ndihmës i përfaqësuesit të përhershëm të Federatës Ruse në OKB, tha se ky vendim i Uashingtonit, i cili u mor në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me rendin botëror, është i destinuar të dështojë.

“Vendimi i njëanshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për cilëndo arsye që është marrë, nuk ndryshon asnjë vendim ligjor ndërkombëtar”, deklaroi ambasadori rus.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit të OKB-së potencuan gjithashtu se vendimi i SHBA-së për Lartësitë e Golanit bie ndesh me rezolutat e Këshillit.

Franca me Anglinë si anëtare permanente, por edhe Belgjika me Gjermaninë e Poloninë si anëtare të përkohshme, nënvizuan se Lartësitë e Golanit nuk janë territor izraelit duke iu referuar rezolutave nr. 242, 338 dhe 497 të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa Bashar Jaafari, përfaqësues i përhershëm i regjimit sirian në OKB, lëshoi kritika të ashpra në drejtim të SHBA-së dhe Izraelit.

Administrata amerikane është e rrezikshme – tha ai – sepse ajo përfaqëson një tendencë të verbër dhe të pashembullt për të përmbysur politikën ndërkombëtare.

“Golani sirian është i yni. Ai do të kthehet tek ne”, theksoi Jaafari.

“Ti ke sjellë turp në vendin tënd”, shtoi ambasadori sirian duke nënkuptuar Presidentin amerikan, Donald Trump.

Rezoluta nr. 497 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e para që është miratuar pas aneksimit të Lartësive të Golanit nga Izraeli në vitin 1981, kundërshton pushtimin izraelit dhe nënvizon se “vendimi i Izraelit për të imponuar ligjet, juridiksionin dhe administratën e tij në Lartësitë e Golanit, territor sirian i pushtuar, është i pavlefshëm dhe pa efekt juridik ndërkombëtar”.

Lartësitë e Golanit, territor sirian, janë nën pushtimin e Izraelit që prej Luftës Gjashtëditëshe të vitit 1967./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne