Këshilltari i Kryeministrit: ISIS për negociatat? Absurdi nuk ka kufij. Qendra kundër ekstremizmit merret me studim dhe kërkim

Sandër Lleshi, këshilltar për sigurinë i kryeministrit Edi Rama, ka folur sot në ‘News24’ për ngritjen e qendrës rajonale kundër ekstremizmit në Tiranë. Lleshi e konsideroi absurd pretendimin e disa politikanëve se Qeveria shqiptare po mbledh terroristët e botës vetëm për të arritur hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai konfirmoi se kjo qendër ka për qëllim koordinimin e Ministrive për realizuar objektivin në luftën kundër ekstremizmit.

“Absurdi nuk ka kufij. Po përhapin një lajm të rremë që shkon në favor të ekstremit dhe terrorit. Qendra përbëhet nga një numër shumë i vogël njerëzish dhe ndodhet mbrapa Kryeministrisë. Kjo qendër kërkon të krijojë mundësinë për Ministritë e tjera që duhet të luftojnë këtë fenomen. Ka për qëllim të adresojë edukimin në shkolla. Mundohet të mbrojë hapësirën tonë fetare nga ekstremizmi. Qendra kujdeset që Ministritë të bëjnë punën e tyre sipas sektorit përkatës”, tha Sandër Lleshi.

Këshilltari i kryeministrit theksoi se kjo qendër do të ndihmojë fëmijët dhe bashkëshortët e atyre shqiptarëve, përfshi ata nga Kosova dhe Maqedonia, që kanë humbur jetën në luftën e Sirisë. Gjithashtu, ai shtoi se në këtë qendër do të ndihmojnë ekspertë rajonalë në realizimin e studimeve dhe kërkimeve për këtë çështje.

“Nga rajoni ka shkuar një numër i madh mercenarësh që i janë bashkuar konfliktit në Siri. Për fat të keq, pjesa më e madhe e tyre i përkasin etnisë shqiptare dhe kanë qenë pjesë e një rrjeti. Nuk mund t’i ndajmë shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Qendra rajonale ka për qëllim që të ndihmojnë edhe ekspertë të rajonit, të bëjmë studime dhe kërkime. Ky është fokusi, studimi dhe kërkimi”, u shpreh ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne