Rajoni

Kështu i pastrojnë paratë politikanët kosovarë (Dokument)

Me shembuj dhe raste konkrete Njësia e Inteligjencës Financiare ka pasqyruar se si i pastrojnë paratë politikanët në Kosovë. Sipas raporti të këtij institucioni, ata pastrojnë miliona euro përmes bizneseve të ndryshme, kredive, investimeve në patundshmëri, por edhe transfereve të mjeteve nga shtete të ndryshme të botës.

Gazeta Fokus sjellë disa rastet konkrete të identifikuara të pastrimit të supozuar të parave, për t’i ilustruar skemat e pastrimit të parave me të cilat ballafaqohen subjektet raportuese dhe hetuesit. të gjitha këto bazohen në raste të vërteta të raportuara, shkruan Gazeta Fokus.

Rasti nr. 1 – Përdorimi i kredive nga Persona të Ekspozuar Politikisht (PEP)

Një subjekt raportues ka paraqitur në NJIF-K një Raport të Transaksioneve të Dyshimta, duke përfshirë informacione financiare rreth një PEP-i (personi B). Në qendër të informacionit të raportuar është një kredi bankare në emër të një personi (personi A) që është pronar i dy bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vend. Personi B është bashkëpronar në njërën prej tyre.

Kredia është përdorur për kryerjen e pagesave që lidhen me punën që kryhet nga personi A në një pronë në zotërim të personit B. Në funksion të analizës së mëtejshme të informacionit NjIF-K kërkoi të dhëna shtesë nga subjektet raportuese nga të cilat rezultoi se personi A, kishte marrë tetë kredi në total të cilat ishin paguar ende pa përfunduar pagesa e kredisë së mëparshme.

Vlera e kredive të përdorura nga personi A, ishte mbi 200,000 Euro, ndërsa totali i kredive ishte rreth 3,000,000.00 Euro dhe qartazi tejkalonin aftësitë financiare të personit B.

Në disa prej kredive rezultoi që personi B dhe një i afërm i tij, ishin bashkë-nënshkrues dhe kështu e garantonin pagesën e tyre. Të dhënat e marra nga NJIF K, përfshinin gjithashtu një sërë transaksionesh financiare mes personit A dhe B (në formën e huadhënies) dhe tre raste të blerjes së parcelave të mëdha të tokës të cilat do të shërbenin për investime në projekte ndërtimesh.

Transaksionet financiare të personit A, realizohen kryesisht nëpërmjet llogarive të tij personale bankare. Llogaritë bankare që lidhen me aktivitetin e biznesit të tij e tregojnë një nivel të konsiderueshëm të aktivitetit që përfshin transfertat e personit B si dhe pagesa në formën e subvencioneve nga fondet publike, ku në pagesën e tyre kishte influencuar B.

Nga analizimi i mëtejshëm i informacionit nga NJIF K rezultoi se kreditë marra për kryerjen e punimeve në pronën e personit B, janë paguar nga personi A kryesisht përmes llogarive të tij të biznesit.

Rasti nr. 2 – Depozitimet e pazakonta dhe strukturimi i transaksioneve

Një subjekt raportues paraqiti në NjIF K, një raport të transaksionit të dyshimtë për personin juridik ‘X’, xhirollogaria e të cilit po përdorej për kryerjen, brenda një kohe të shkurtër, të transaksioneve të shumta nën pragun ligjor të raportimit. Vlera totale e këtyre transaksioneve arrin vlerën rreth 1 milion eurove.

Struktura aksionare e personit ‘X’, përbëhej nga tre bashkëpronarë, personin ‘A’ (që ishte dhe PEP), ‘B’ dhe ‘C’.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë rast, ishin pjesë e një dosjeje të mëhershme hetimi nga policia që lidhej me përfshirjen e tyre në veprën penale të pastrimit të parave. Kjo gjë krijoi bazën për dyshime të arsyeshme në lidhje me prejardhjen e jashtëligjshme të fondeve të përdorura në transaksionet e lartpërmendura të raportuara tek NjIK K.

Vlerat e transaksioneve nën pragun e raportimit ishin një tregues tjetër i përpjekjeve të personave të përfshirë për ta fshehur burimin e fondeve dhe për t’ju shmangur detyrimit ligjor të subjekteve raportuese për raportimin e transaksioneve në para të gatshme.

Nga analiza e mëtejme e rastit, NjIF K, konkludoi se personat ‘A’, ‘B’ dhe ‘C’ në cilësinë e tyre si bashkëpronarë të kompanisë ‘X’ me qëllim të fshehjes së origjinës së jashtëligjshme të fondeve, duke u munduar që t’i paraqesin ato si të ardhura të ligjshme që kishin si destinacion blerjen e pasurive të patundshme.

Rasti nr.3 – Përdorimi i shërbimeve të konsulencës si mbulesë për vendosjen dhe shtresimin e të ardhurave të PEP-ve

Personi “Y” ka qenë përfituesi i dy transfereve ndërkombëtare dhe një transferi kombëtar në vlerë prej 62,200 eurosh. Informacioni nga burimet e hapura tregoi se vëllai i tij ishte deputet në vendin ‘X’ dhe për këtë arsye është një anëtar i familjes së një PEP-i.

Më parë personi ‘Y’ ka pranuar një transfer nga vendi ‘X’ në shumën prej 10,000 EUR dhe një pagesë në vlerë prej 32,000 EUR nga një kosovar. Përshkrimi i ofruar për transfertën ndërkombëtare ishte për kontrata të konsulencës dhe shërbimeve. Pak ditë më vonë, personi ‘Y’ pranoi nga i njëjti vend një tjetër transfer në vlerën prej 20,000 Eur.

Pas analizimit të mëtejshëm të informacionit NjIF K, arriti në përfundimin se fondet e përdorura në transaksionet mes personave të përfshirë mund ta kishin origjinën nga aktivitete të jashtëligjshme dhe informacioni u shpërnda spontanisht tek partneri FIU në vendin ‘X’.

Rasti nr. 4 – Përdorimi i fondeve me origjinë të panjohur për blerjen e pasurisë së paluajtshme

NjIF K u informua për transaksionin e pasurive të paluajtshme të një personi Y të punësuar si drejtor në administratën publike. Vlera e pronës ishte 150,000 euro dhe pagesa e kësteve u bë me fonde të deklaruara si kursime personale dhe dhurata nga prindërit, dhe nuk u kanalizuan përmes sistemit bankar.

Analiza të mëtejme e informacionit të mbledhur nga burime të shumta, lidhjet familjare dhe aktiviteti i tyre treguan se:

– Ata nuk kishin qarkulluar me fonde të tilla në llogaritë e tyre bankare;

– Vëllai i personit Y, kishte blerë aksione të kompanisë L, në vlerë prej 100,000 euro, ndërsa kontratat e noterizuara treguan se vlera reale e tyre ishte pothuajse dyfishi i shumës.

Ky transaksion i shtoi edhe më shumë dyshimet, duke marrë parasysh faktin se shitësi (personi G) kishte paguar rreth 300,000 euro për ta dhe i shiti ato më pas për një shumë tejet më të ulët.

NjIF K po ashtu u informua për abuzimin e pushtetit nga personi Y gjatë ushtrimit të funksioneve të tij në një sektor përgjegjës për licencimin dhe shfrytëzimin e lëndëve të para, me ç’rast ai kishte favorizuar një numër të subjekteve private.

Rasti nr. 5 – Përdorimi i fondeve që nuk përputhen me nivelin e të hyrave

Një RTD i paraqitur në NjIF K, zbuloi një deponim që personi ‘A’ e kishte bërë në llogarinë e tij personale bankare, për ta paguar kredinë e tij. Shuma e deponuar ishte 62,000 EUR dhe burimi i deklaruar i fondeve ishte huazimi nga persona të tjerë. Si rezultat i një serie masash të kujdesit të duhur, subjekti raportues zbuloi se klienti i saj (personi A), ishte Person i Ekspozuar Politikisht (PEP). Gjatë rrjedhës së analizave të informacioneve, NjIF K mori informata rreth pozicionit aktual të personit ‘A’, në një nga Institucionet e pavarura publike në Kosovë.

Histriku i punësimit të personit ’A’ tregon se ai ka punuar për një kompani private dhe të ardhurat e tij mund të konsideroheshin si mesatare. Edhepse personi ‘A’ nuk ka deklaruar pranë autoriteteve tatimore të ardhura tjera në 5 vitet e fundit, ai ka vazhduar të kryejë deponime në llogarinë e tij bankare dhe këto deponime kryesisht kanë qenë nën pragun e raportimit të transaksioneve në para të gatshme.

Bazuar në të dhënat e autoriteteve kadastrale, personi A nuk ka poseduar pronë në emrin e tij personal, ndërsa nga analizimi i të dhënave financiare nga NjIF K, ka rezultuar që të ketë pranuar në llogarinë e tij mjete nga një person ‘B’, në vlerë afërsisht 22,500 euro, me burimin e deklaruar të fondeve si “shitja e patundshmërisë”.

Fondet e deponuara në llogarinë e tij, u transferuan në kompaninë ‘X’, nga personi ‘A’ për blerjen e një banese në Prishtinë, me një çmim total prej 80.000 eurosh.

OPINIONE