Këta që u varin salçiçet në qafë të varfërve për të bërë fotografi…

Nga Mentor Kikia

Një diskutim në ‘Opinion’, ose më saktë mënyra e komunikimit mes drejtuesve të dy fondacioneve bamirëse, ishte gati i pështirë.

Asgjë më shumë; ishte një lloj gare për vëmendje dhe protagonizëm: Kush ka bërë më shumë për shqiptarët e varfër?

Me këtë rast, doja të ndalesha në një fenomen që po e degjeneron edhe humanizmin si virtut njerëzor.

Së pari: A janë bamirës këto fondacione? Unë them që jo.

Sepse drejtuesit e tyre nuk kanë dhuruar asgjë nga vetja. Këta janë vetëm menaxherë të ndihmave që japin të tjerët. Fondacione të drejtuara si të ishin kompani private, ato janë shndërruar gati-gati në biznese që ‘shesin’ bamirësinë e të tjerëve.

Ato kanë krijuar infrastruktura si të ishin kompani të mëdha tregtare, dhe padyshim që nuk i japin askujt llogari për mënyrën e menaxhimit të këtij humanizmi që u vetëofrohet si mëshirë për mjerimin.

Përtej kësaj, etja për mediatizimin, e ka bërë bamirësinë në Shqipëri të pështirë. Djem e vajza me qese me ushqime në duar vihen në rresht për të hyrë në shtëpinë e njerëzve të mundur nga mjerimi. Foto e filmime pa fund.

Qeset me oriz e miell iu plasen në prehër të varfërve, ndërsa salçiçet ua varin në qafë, për tu bërë fotografi. Fëmijë të paushqyer e të zhveshur vihen në rresht për të bërë foto me shpëtimtarin, bamirësin e madh. I filmojnë mbarë e prapë. Kujdesen të fiksohet çdo rraqe e shtëpisë, çdo këmbë e zbathur, çdo bluzë e shqyer, çdo pjatë dhe tenxhere e palarë dhe e zbrazur…

Përse? Cili është qëllimi? Që të tregohet se janë të varfër? Nuk ka nevojë për kaq shumë detaje.

Mjerimi të shvesh nga çdo lloj ndjeje njerëzore, të bën të ulësh kokën e të thuash vetëm ‘faleminderit’. Por jo deri këtu!

Etja për protagonizëm, për heroizëm dhe shenjtëri i bën këta ‘bamirës’ që tu marrin të varfërve çdo lloj dinjiteti. Mendoni pak, pas disa vitesh kur ai fëmijë të rritet e të shkojë në shkollë, në rrjetet sociale do të jenë akoma videot kur atij i dhurohet një copë bukë në dorë dhe kur i duhet të bëjë si i lumtur kur të dalë në fotografi me atë ‘xhaxhin’ që ia dhuroi.

Nuk ka nevojë t’ia varësh trastën e ushqimeve të dhuruara në qafë e tia tregosh gjithë botës. Bamirësia nuk bëhet për famë, por për shpirt./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne