“Këto akte islamofobe nuk janë të hijshme për ne dhe për çdo investim të huaj në Kosovë”

Ditët e fundit me shtimin e sulmeve dhe akteve islamofobike që janë duke iu bërë monumenteve fetare në Prishtinë (ndaj tabelave të Xhamisë Sulltan Mehmet Fatih dhe xhamisë Jashar Pasha) posaqërisht pas aktualizimit të temës për ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës, për të cilën pritet që komuna të marrë një vendim që nga viti 2012, nuk duhet të anashkalohet as gjendja e monumenteve historike dhe fetare në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Përkundër sulmeve ndaj monumenteve të shenjta në Prishtinë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), i cili merret me mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve vazhdon punën në xhamitë e qytetit.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit dhe Shefi i sektorit të konservimit dhe restaurimit në IKMM, Agim Gërguri në një intervistë për Anadolu Agency (AA) duke folur për monumentet historike të kryeqytetit theksoi se pasuria e një vendi mund të shihet nga prania e këtyre monumenteve.

“Në Prishtinë ka mjaft monumente të periudhës Osmane, është Xhamia e Çarshisë (Xhamia e Gurit ose Xhamia e Sulltan Muratit) e cila është ndërtuar nga Sulltan Mehmeti për hir të babait të tij, e cila ka një minare që mendoj se është ndër më të bukurat në Evropë sepse është e punuar tërësisht nga guri dhe ka një elegancë në vete e cila është në konservim e sipër. Pastaj është Xhamia e Madhe, Xhamia e Jashar Pashës, Xhamia e Llapit përndryshe që quhet Xhamia ‘Ramadanije’, pastaj kemi edhe hamamin e Prishtinës”, u shpreh Gërguri.

Ai tha se punët kanë ngecur sepse punët e konservimit dhe restaurimit kërkojnë buxhet të madh. Gërguri tha se IKMM-ja nuk ka buxhet të mjaftueshëm dhe se deri tani IKMM ka bërë konservimin e brendshëm të Xhamisë së Llapit në vitin 2009 me financim të grupit Mabetex, e cila ka qenë e djegur nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Gërguri po ashtu tha se ata kanë punuar edhe në konservimin e Xhamisë “Atik” në Gjilan ku janë zbuluar pikturat e kohës së ndërtimit pra të vitit 1890, nën muret e ripikturuara të kësaj xhamie.

Ndërsa sa i përket çështjes së sulmeve dhe akteve islamofobike në monumentet e shenjta të kryeqytetit, Gërguri tha se me autorët e sulmeve ndaj monumenteve fetare duhet të merret policia dhe institucionet e drejtësisë.

“Këto akte nuk janë të hijshme për ne dhe për çdo investim të huaj që po bëhet në Kosovë sepse popullata me vite të tëra i ka kryer ritet fetare në këto xhami. Nuk ka asgjë të keqe nëse ndërtohet një xhami paralelisht me xhaminë e cila është duke u ndërtuar në Tiranë”, tha Gërguri.

Duke theksuar se është e domosdoshme ruajtja e kulturës dhe historisë nga e kaluara e popullit shqiptar Gërguri kujtoi se ndërtimi i Katedrales në kryeqytet apo edhe e Kishës Ortodokse Serbe gjatë vitieve të 90-ta nuk kanë ngjallur asnjë reagim.

“Nuk është fer dhe nuk je një shtet demokratik as një popull që përkrah demokracinë në qoftë se nuk ia mundëson njerëzve t’i kryejnë ritet fetare që i takojnë, kur 95 për qind e popullatës janë muslimanë”, tha Gërguri.

Ai kujtoi edhe rrënimin e çarshisë në Prishtinë vite më parë duke theksuar se qytetarët duhet ta kenë një lagje ku e kujtojnë Prishtinën e vjetër sepse qyteti ka ndryshuar plotësisht dhe nuk i ngjan aspak asaj që ai e ka njohur.

Duke folur për bashkëpunimin me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Gërguri tha se restaurimi dhe konservimi i Xhamisë së Çarshisë (ose ndryshe Xhamia e Sulltan Muratit) i cili është ndërprerë në vitin 2013 do të përfundohet nga TIKA.

Ai bëri të ditur se pas vizitës së ekspertëve, konservatorëve, restauruesve dhe inxhinierëve nga TIKA (Turqia) kanë mbetur edhe disa çështje për t’u biseduar rreth mjeteve të cilat do të vijnë nga Ankaraja për punimet në xhami ku pritet që me një marrëveshje të fillojë dhe përfundojë restaurimi gjatë këtij viti apo gjatë vitit të ardhshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne