KFOR-i Turk kontribuoi në riparimin e parkut dhe këndit të lojërave të Vushtrrisë

Vushtrri

Kryesia e delegacionit turk që është me detyrë në kuadër të Misionit të Forcave Paqësore të Kosovës (KFOR) ka bërë riparimin e parkut dhe këndit të lojërave të Vushtrrisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri dhe kryetari i KFOR-it Turk, koloneli Numan Baş.

Sakar, në fjalimin e tij me rastin e ceremonisë, tha se parku i qytetit do të zbukurojë jetën e fëmijëve.

“Mendoj se është tejet e rëndësishme që fëmijët e Kosovës, vend i cili ka një popullsi të re dhe dinamike, të jetojnë një fëmijëri cilësore dhe në standarde botërore, të lumtur dhe në siguri”, tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës Tahiri, potencoi se miqësia mes popullit të Kosovës dhe Turqisë është një miqësi ndërshekullore. “Shpresojmë shumë që kjo mirësi do të fuqizohet, duke u forcuar dhe do të sjellë dobi për komunitetin, për qytetarët edhe të Kosovës edhe të Turqisë”, u shpreh Tahiri.

Nga ana tjetër, koloneli Baş theksoi se një ndër investimet më të bukura janë ato investime që bëhen në lumturinë e njeriut. “Me ju kemi një lidhje vëllazërore dhe miqësore që vjen nga historia. Me anë të hapjeve të këtilla jemi duke e zhvilluar unitetin, shpirtin solidarizues dhe miqësinë tonë historike”, theksoi ai.

Pas programit, ushtarët turq me detyrë në Kosovë, dërguan përshëndetjet ushtarake pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Turke që gjenden në Siri, në kuadër të operacionit “Burimi i Paqes”.

Në kuadër të projekteve të bashkëpunimit Ushtarako-Civil të Kryesisë së delegacionit turk, u riparua parku i qytetit, ndërsa në vend të këndit të lojërave që ishte e shkatërruar, u zëvendësua me mjete të reja./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne