Khamenei të paktën nuk gënjen si trazovaçët strategjikë të SHBA në Tiranë

Politikën shqiptare, atë më përfaqësuesen kuptohet, e ka shqetësuar një deklaratë e kreut suprem iranian, Ajatollah Kahmenei, që e cilësoi Shqipërinë si “një vend djallëzor dhe i vogël që komploton kundër Iranit me amerikanët”.

Ka gënjyer Khamenei? Ja një pyetje që ka interes.

Sipas Bashkimit Europian dhe DASh, dy kishave ku falet pa bërë zë politika shqiptare, Shqipëria është një vend i korruptuar, me demokraci hibride dhe i varfër.

Janë të tre elementë që konstituojnë apo krijojnë premisat e djallëzisë, të cilën duhet ta kuptojmë si pjesë përbërëse të një politike të jashtme që me servilizëm dhe korrupsion, lëshime dhe kthesa, kërkon të blejë apo marrë atë që nuk i takon.

Elita shqiptare shpallet prej ca kohësh se jemi vend europian. E vërtetë është kjo? Gjeografikisht po, por historikisht institucionet më jetëgjata në këtë vend nuk kanë gjë të përbashkët me Europën siç i skalisim ne imagjinativisht për nevojat tona praktike. Nuk është pra djallëzore një gënjeshtër e tillë? Edhe Turqia aspiron hyrjen në BE, por nuk i prrallis vetes gënjeshtra të tilla. Pasi gënjeshtra nuk lidhet vetëm me përgjegjësitë, por edhe me pasojat.

Një këngë e masivizuar mes shqiptarësh të një kategorie thotë se Shqipëria dhe Kosova bashkë janë të mëdha. Dhe qëndrojnë pranë njëra – tjetrës si xhamadani vija – vija. Khamenei na kujton se jemi një vend i vogël. Secili mund të zgjedhë të besojë çfarë të dojë dhe të matet tërë kohës me hijen e mëngjesit, por nuk është se bota ndalon prej kësaj.

Të vijmë te reagimi i politikës shqiptare. Dje reagoi presidenti Ilir Meta.

Shqipëria është një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë

është shprehur Meta.

A është Shqipëria demokratike? Të shikojmë se çfarë thotë vetë Ilir Meta. Në shtator të vitit 2019 ai e ka quajtur Shqipërinë si “shtet të PPP-ve dhe propagandës”. Në dhjetor bëri thirrje për të dalë në shesh për t’ua kthyer Shqipërinë shqiptarëve. Para këtyre deklaratave z. Meta, në korrik 2019 e ka cilësuar qeverinë e z. Rama, atë që përfaqëson mbarë vendin, si një grup i strukturuar që punon për “total capture state”(anglishtja në faqen e Presidencës).

Mirëpo ky është Ilir Meta që ecën me parimin: dje ishte dje, sot është sot. Ndaj sot Shqipëria është demokratike, dje nuk ishte. Nesër…ku i dihet. Sa për diktaturën djallëzore kjo është spekullative dhe këtë mund ta shohim sesa ky shtet respekton të drejtat e njeriut në demokracinë iluzive ku mendon se prosperon.

Një tjetër politikan me peshë që ka reaguar është Taulant Balla. Ja se çfarë thotë ky zyrtar i lartë i Partisë Socialiste:

Khamenei e quajti Shqipërinë “një vend europian të vogël dhe djallëzor”. Jo! Ai është gabim! Shqipëria është një vend i bukur europian me njerëz të shkëlqyer dhe mikpritje, me shumë atraksione turistike dhe me siguri ne jemi një aleat krenar i SHBA-ve dhe BE-së në luftën kundër të gjitha të këqijave të terrorizmit

Është pak e vështirë ta marrësh seriozisht patriotizmin e këtij njeriu. Por le ta shohim. Së pari Khamenei ka folur për shtetin jo për gjeografinë. Zoti Balla thotë se Shqipëria ka shumë atraksione turistike, por nuk është diskutuar kjo gjë në asnjë moment. Dhe atraksionet e saj turistike nuk janë meritë e shqiptarëve, por dhuratë e natyrës. Mirëpo z. Balla aderon në një parti që ka për kryetar dikë që i njeh vetes për meritë gjatësinë, kështu që kjo ngatërresë mund të falet.

Shqipëria është aleat krenar i SHBA në luftën kundër të gjitha të këqijave dhe terrorizmit,– shton Balla.

Ky përkufizim ha diskutim pasi angazhime të tilla lidhen me mundësitë. Ne pamë se edhe me tërmetin e 26 nëntorit, Shqipërisë iu desh të lypte para lart e poshtë dhe deri më sot nuk ka ndonjë shenjë serioze se për atë që ndodhi do të ketë hetime të vërteta. Çfarë aleati mund të jetë atëherë Shqipëria? Lufta kundër të keqes kërkon në parim që edhe ky njeri të kontrollohet mirë, të kalojë në lustrim sepse ka një dyshim se diçka nuk shkon në përgjithësi me pasurimin e socialistëve të gjeneratës së re. Edhe këtë luftë ja kemi lënë SHBA-ve që na dhanë me detyrim reformën në drejtësi, e cila u shpall po nga njerëz si ky Balla se nuk mund të bëhej pa SHBA.

Sigurisht që kësi deklarimesh nuk merren dhe aq seriozisht, sepse fundja mundet të jenë edhe mesazhe për bazën, apo detyrime ndaj urdhërit të shefit. Sa për të thënë. Por edhe të lexuara kështu, nuk ka sesi të mos e pranosh se Khamenei nuk gënjen dhe është më i besueshëm në atë që thotë sesa Taulant Balla dhe Ilir Meta. Edhe pse ne këta të fundit i kemi besuar prej vitesh dhe u kemi dhënë të drejtën të dalin e të shfaqen për atë që janë dhe të flasin edhe për Ne.

Me këtë nuk duam të themi se ne po jemi kundër aleancës strategjike SHBA-Shqipëri sepse ajo siç tha Hillary Klinton nuk tundet as për 100 vitet e ardhshme, por për ata që kanë sy në ballë dhe ndonjë neuron indipendent nuk mund të mos shohë si me dyshim aleatët e SHBA, Balla-Meta-Rama në Tiranë./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne