Khan: A do të dëshmojë bota në heshtje një masakër tjetër në Kashmir

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka paralajmëruar për “një tjetër masakër të tipit Srebrenica dhe të një spastrimi etnik të muslimanëve” në Xhamu dhe Kashmir, pas heqjes së të drejtave të veçanta të këtij rajoni të diskutueshëm nga New Delhi javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Khan në një postim nga llogaria e tij në Twitter ka reaguar ndaj kufizimeve të fundit të Indisë kundrejt rajonit Xhamu dhe Kashmir dhe ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për shkak të politikave të Indisë.

Duke mbrojtur idenë e tij se situata në rajon mund të përkeqësohet edhe më tej, Khan është shprehur: “A do të dëshmojë bota në heshtje një masakër dhe një spastrim etnik tjetër si ajo e Srebrenicës kundër muslimanëve në Kashmirin nën okupimin e Indisë? Unë do të doja të paralajmëroja komunitetin ndërkombëtar që, nëse e lejon këtë, zhvillimet do të shkaktojnë pasoja dhe reagime të forta që do të çojnë në cikle radikalizimi dhe dhune në botën muslimane”.

Kryeministri i Pakistanit ka vlerësuar se kufizimet për muslimanët në Xhamu dhe Kashmir dhe prania e ushtarëve shtesë në zonën aktualisht të okupuar, janë “një shembull i spastrimit etnik për muslimanët” të Kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, të kryer më parë në rajonin Gujarat.

Khan në një fjalim të mbajtur dje në Asamblenë legjislative të rajonit Muzaffarabad, kryeqytetin i Azad Kashmir, pjesës të Kashmirit të lidhur me Pakistanin, theksoi se Kryeministri indian, Narendra Modi, ka bërë një gabim strategjik “duke e bërë Xhamu dhe Kashmirin një problem ndërkombëtar, gabim ky i cili do t’i kushtojë edhe vetë atij, por edhe qeverisë së Partisë Popullore të Indisë (BJP).”

Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit në një deklaratë më 12 gusht njoftoi se ndërhyrja e Indisë në lirinë fetare të muslimanëve në Xhammu dhe Kashmir gjatë Kurban Bajramit ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe ligjin universal.

– Heqja e statusit të veçantë të Xhamu Kashmirit nga India

India më 5 gusht hoqi strukturën me status të veçantë të rajonit duke anuluar nenin 370 të kushtetutës që i njihte privilegje Xhamu dhe Kashmirit për më shumë se gjysmë shekulli.

Qeveria pakistaneze, duke dënuar vendimin, vendosi të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Indinë dhe i kërkoi Indisë që të tërhiqte ambasadorin e saj në Islamabad.

Pakistani gjithashtu pezulloi zyrtarisht edhe marrëdhëniet tregtare me Indinë pasi kjo hoqi strukturën me status të veçantë të rajonit duke anuluar nenin kushtetues që i njihte privilegj Xhamu dhe Kashmirit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne