Bota

Kim Jong-Un: Testimi i fundit tregoj se do të mund të godasim tërë ShBA-në

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un deklaroi se testimi i raketave balistike tregoi se vendi i tij do të mund të godas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA, Kim Jong-Un deklaroi se ndjenë kënaqësi të madhe nga testimi i raketës.

Lideri i Koresë së Veriut ka thënë se testimi i fundit tregoi edhe njëherë besueshmërinë e programit të raketave balistike dhe se me aftësinë për të lancuar raketa në kohë, rajone dhe pozita të ndryshme tërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshihen në rreze të veprimit të këtyre raketave.

Kim tha se testimi i raketës është një paralajmërim serioz ndaj ShBA-së, e cila me kërcënime për luftë dhe sanksione të forta “luan në mënyrë të pakuptimtë në buri”.

Raketa Hwasong-14, përshkoi një distancë prej 998km, arriti në lartësi 3 mijë e 725km dhe ka rënë në det në afërsi të Japonisë.

Në anën tjetër agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, në një lajm të bazuar në deklaratat e njërit të zëdhënësve të presidencës, shkruan se Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur pas testimit të raketës nga ana e Koresë së Veriut, kërkoi marrjen e masave më efikase dhe më të forta.

Moon ka urdhëruar ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes që qeveria së bashku me aleatët e saj siç janë ShBA-të, do të kundërpërgjigjen ashpër ndaj provokimeve të Koresë së Veriut.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Song Young-moo deklaroi se vendi i tij së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer stërvitje me raketa tokë-tokë në orët e hershme të mëngjesit dhe se në gadishull do të vendosin më shumë asete strategjike.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në deklaratën e tij u bëri thirrje Rusisë dhe Kinës të bëjnë më shumë për të parandaluar kërcënimet në rritje ndaj stabilitetit rajonal dhe global që burojnë nga raketat e Phenianit.

Duke e bërë të ditur se këto testime paraqesin shkeljen e hapur të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që paraqesin vullnetin e shoqërisë ndërkombëtare, Tillerson tha se të gjitha vendet duhet të shfaqin një qëndrim të fort publik për të siguruar vazhdimin dhe forcimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara me të cilat do të përballet Koreja e Veriut si pasojë e testimeve të vazhdueshme të armëve nukleare.

Tillerson gjithashtu shtoi se Rusia dhe Kina janë vende të cilat ofrojnë mundësi të mëdha ekonomike Koresë së Veriut për zhvillimin e programit të armëve dhe raketave nukleare, ndërsa tërhoqi vëmendjen në përgjegjësitë unike dhe ekskluzive për rritjen e këtij kërcënimi për stabilitetin rajonal dhe atë global.

Sekretari Tillerson tha se udhëheqja e Uashingtonit dëshiron që në gadishullin korean në mënyrë paqësore të shkatërrohen të gjitha armët nukleare dhe që Koreja e Veriut ti jap fund aktiviteteve agresore, ndërsa vijoi duke thënë që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurrë nuk do ta njohin një Kore të Veriut të armatosur me armë nukleare dhe se nuk do të heq dorë nga premtimet e dhëna partnerëve dhe aleatëve në rajon”.

Ndërkaq Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe në një deklaratë të bërë tha se Koreja e Veriut ka njoftuar për kryerjen edhe të një testimi të ri të raketave balistike, ndërsa bëri të ditur se raketa në fjalë ka rënë në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë./ TRT

OPINIONE