Islamofobi Opinion

Kina duhet t’i trajtojë muslimanët e Xinjiangut si vëllezër dhe qytetarë te saj

[Pergjigje ambasadorit te Kines ne Ankara, Turqi]

 

Nga: Dr. Olsi Jazexhi

 

I dashur z. Deng Li

Jam gëzuar pa masë kur lexova artikullin tuaj “Çfarë po ndodh në Xinjiang?” që keni botuar në Daily Sabah në 9 dhjetor 2019. Thënia kineze që përmendët: “Të dëgjosh të dy palët, njëra do të ndriçohet, por nëse i kushtohet vëmendje vetëm njërës anë, tjetra palë do të jetë e zhytur në errësirë” ishte shumë frymëzuese. Ne, njerëzit e botës myslimane duhet të hapim një dialog serioz me Kinën në lidhje me qytetarët e saj muslimanë qe jane edhe vëllezërit tanë në Islam.

Edhe pse e kuptoj plotësisht se Kina ka vuajtur nga kërcënimet e terrorizmit dhe separatizmit në dekadat e fundit, sfidat me të cilat Kina është duke u përballur nuk duhet të përkthehet në një luftë kundër besimit të miliona qytetarëve të saj. Ndërsa qeveria e Kinës dhe Rajoni Autonom Ujgur i Xinjiang-ut (XUAR) ka të drejtë të luftojë terrorizmin dhe separatizmin, kjo luftë nuk duhet të synojë besimtarët e pafajshëm muslimanë dhe xhamitë duke u hequr të drejtat qytetarëve të saj muslimanë për të besuar dhe praktikuar fenë e tyre.

 

Vizita në rajon

Gjatë vizitës sonë në Xinjiang ne pame qartë se njerëzit që u intervistuan nga unë dhe gazetarë të tjerë nuk ishin ekstremistë. Edhe pse nuk ishin te ketille ata jane ndaluar dhe dërguar në kampe përqendrimi të quajtur “shkolla ri-edukimi” duke u akuzuar për “krime” fetare. Këto “krime” për ne janë të drejta themelore të njeriut që çdo njeri duhet të gëzojë.

Të burgosurit që ne intervistuam na thanë se disa nga krimet e tyre ishin: leximi i Kuranit me shokë, lutja ndaj Zotit në publik, thirrja e prindërve që t’i luten Zotit, shkrimet ne internet që një musliman i vërtetë duhet të falet pesë herë në ditë dhe që anëtarët ujgure te Partise Komuniste te Kines nuk janë muslimanë të vërtetë, mbulimi me shami, të martuarit sipas kërkesave fetare, ngrënja dhe jetesa hallall, leximi i historisë se Islamit dhe ujgurëve, etj. Gjatë vizitave tona në “shkollat e ri-edukimit” në Qarkun Wensu te Akuse dhe Kashgar, zbuluam se të arrestuarit që ishin shpallur “ekstremistë” ishin myslimanë të pafajshëm krimi i vetëm i të cilit ishte të qenit turkmene dhe muslimane.

Siç na treguan mësuesit e tyre kinezë, muslimanet qe ne pame mbaheshin në “shkollat e ri-edukimit” kundër vullnetit të tyre dhe ishin të izoluar nga familjet dhe bota e jashtme, pa akses ne telefona dhe internet. Atyre u ndalohej të praktikonin fenë dhe madje edhe të flisnin gjuhët e tyre turkmene. Videot e mia nga kampi i Wensu-se vërtetojnë se te burgosurit ishin të detyruar të flisnin kinezerisht gjatë gjithe kohës. Fakti që ata janë sjellë dhe mbahen me forcë në këto “shkolla ri-edukimi” na vërtetoi se “shkollat e ri-edukimit” nuk jane shkolla por në fakt janë burgje ndersa “studentët” muslimanë janë të burgosur fetarë te cilet jane denuar per shkak te besimit te tyre islamik.

Gjatë vizitës sonë, zyrtarët kinezë që ishin në krye të zyrave të administratës shtetërore të Xinjiang-ut na treguan përparimin ekonomik të rajonit dhe planet që qeveria juaj ka për të kthyer Xinjiang-in në një qendër të madhe ekonomike për projektin Një Rrugë, Nje Brez të Kinës. Ndërsa progresi ekonomik i Kines duhet të lavdërohet, ne vume re qe ne Xinjiang kishte një prani shumë të madhe policore dhe ushtarake. Xinjiang-u i ngjante territoreve të pushtuara palestineze, ku ushtria dhe policia izraelite sundojnë mbi palestinezët.

Në Xinjiang, pakica kineze e etnise han ishte në kontroll të plotë te vendit. Ajo sundonte, policonte dhe “ri-edukonte” me dhune ujgurët, ashtu sikur benin japonezët në Kinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ujgurët, të cilëve ne arritëm t’u afroheshim, në kohen kur udhëzuesit tanë kinezë nuk mund të na shihnin, kishin frikë të flisnin pasi miqtë tanë kinezë i trembnin për të mos folur . Këtë frikë e pamë edhe në Institutin Islamik te Xinjiangit, ku qeveria po “edukon” një gjeneratë të re imamësh që flasin kinezerisht dhe i binden urdherave të Partise Komuniste.

Në artikullin tuaj, ju shkruani se në Xinjiang ka “24.400 xhami, 29,000 klerikë dhe 10 institucione fetare”. Kam frikë se ky informacion nuk është i vërtetë. Autoritetet e Xinjiang-it kanë shkatërruar shumë xhami dhe mbyllur shumë të tjera, kanë burgosur qindra imamë dhe ujgurët kanë frikë ti falen Zotit ne xhami dhe ne publik.

Xhamitë që vizituam nuk na bindën se ishin xhami të vërteta. Në Pazarin e Urumqit, autoritetet e Xinjiangit kishin përdhosur shenjtërine e Xhamise se Xhong Pazarit duke e shndërruan në një qendër tregtare. Kjo xhami e bukur dhe ikonike ishte mbushur me flamuj kinezë dhe asnjë musliman nuk lejohej të lavdëronte Allahun atje. Në Kashgar, Xhamia Id Kah ishte shndërruar në një muzeum që funksiononte vetëm për lutjet e Dites se Xhuma.

Ezani (thirrja për lutje) ishte e ndaluar me ligj. Kur ne gazetarët muslimanë nga Katari, Turqia, Afganistani dhe Pakistani vizituam xhaminë Id Kah ne Kashgar – me insistimin tim për namazin e Xhumasë – zbuluam se ne xhami kishte vetëm disa pleq që luteshin, të cilët kishin frikë të  flisnin me ne. Xhamia në hyrje kishte mbi 12 kamera dhe çdo besimtar i moshuar që lutej monitorohej sikur te ishte kriminel. Udhëzuesit tanë ujgurë nuk guxonin të hyjne në xhami, pasi kishin frikë se humbisnin vendin e punës nëse do të shiheshin brenda xhamise. Ata na thanë që per punonjësit shteterore besimi në Zot ishte i ndaluar.

Studiuesit kinezë Xu Guixiang, Ma Pinyan dhe Li Wei na treguan se strategjia e qeverisë së Kinës ishte të kinezerizonte Islamin dhe të hiqte çdo shenjë të ndikimit turk dhe arab nga xhamitë dhe nga muslimanët e Kinës. Në të gjitha xhamitë që kemi parë dhe vizituar, pame flamuj gjigand kinezë dhe postera propagandistik te Partise Komuniste te cilet poshteronin vendet e shenjta të Islamit, ku besimtarët nuk duhet të marren me politikë por te lavdërojnë Allahun e Madhëruar. Desakralizimi i Islamit ngjante me përdhosjen që Seleucidët bënë kundër fesë së judenjve në kohën e revoltes biblike te Makabeut. Kjo përdhosje e cila mbrohet ligjerisht ne “Rregulloren e De-Ekstremizimit te Rajonit Autonom Ujgur të Xinjiangut” (Kapitulli 1, Art. 4) dhe ndalimi me ligj i praktikimit të Islamit nga muslimanët e Xinjiangut në çdo aspekt të jetës (Kapitulli 2, Art. 9) dhe shpallja indirekte e Islamit si fe ekstremiste, diskrediton propagandën e qeverisë suaj e cila pretendon se po lufton “tre të këqiat” – terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin, ndersa ne anen tjeter pretendon se qeveria juaj nuk ka asnjë problem me fenë. Politikat qe qeveria e Xinjiangut ndjek kunder fese Islame nxisin edhe me shume pakënaqësinë e muslimaneve kunder Kinës dhe në vend që te zgjidhin problemin, e përkeqësojne atë.

 

Rëndësia e Kinës

Ndërsa unë respektoj Kinën si  superfuqi të madhe botërore dhe Xinjiangun e njoh si pjesë të territorit të saj, unë do të doja të shpreh këshillat e mia modeste ndaj qeverisë suaj të fuqishme. Kur isha në Xinjiang, une i thashë miqve tanë kinezë se ndërsa Kina ka çdo të drejtë ligjore dhe kombëtare për të luftuar terrorizmin dhe separatizmin, ajo nuk duhet të poshtërojë muslimanët e saj ashtu sikur po bën duke i trajtuar ata si armiq dhe duke i vendosur në kampe përqendrimi në mënyrë që t’i de-islamizojë me dhune. Kina duhet të mësojë nga Rusia që kishte probleme të ngjashme separatiste në vitet 1990, por qe tanime ka arritur me sukses të riintegrojë muslimanët dhe Islamin si pjesë te mozaikut të saj ndërfetar dhe ndër-etnik. Siç përmendni edhe ju ambasadori i nderuar se “njerëzit e të gjitha grupeve etnike në Xinjiang janë anëtarë të rëndësishëm të familjes së madhe të kombit kinez”, edhe unë do te doja te theksoja te njejten gje. Autoritetet e XUAR-it duhet të ndjekin deklaratën tuaj dhe t’i trajtojnë të gjitha grupet etnike dhe fetare të Xinjiangit në mënyrë të barabartë. Ato duhet të kuptojnë se lufta kundër separatizmit dhe terrorizmit nuk duhet të kthehet ne nje lufte kunder Islamit dhe të drejtës se muslimanëve për të praktikuar fenë e tyre.

Sugjerimi im modest për zotin Deng Li do të ishte qe të këshillonte qeverinë e tij që të lehtësojë persekutimit qe ajo ndjek aktualisht kunder muslimanëve të Xinjiangut. Deklarata e Z. Shohrat Zakir që shumica e “studentëve” të “Qendrave të Formimit Profesional” janë diplomuar është një lajm i shkëlqyeshëm, edhe nëse ky nuk është i vërtetë. Kjo tregon se autoritetet e Xinjiangut janë duke kuptuar gabimet e tyre dhe po reflektojne. Hapi tjetër që duhet të bëjnë autoritetet e XUAR-it është të fillojnë një proces pajtimi nderfetar dhe nder-etnik në Xinjiang.

Autoritetet duhet t’i japin fund kufizimeve qytetare dhe fetare ndaj muslimanëve. Muslimanet duhet të lejohen të marrin pasaporta, të lëvizin lirshëm në Xinjiang, Kinë dhe në të gjithë botën dhe të jenë në gjendje të ribashkohen me familjet e tyre që janë ndare dhe shkatërruar si rezultat i përndjekjes fetare. Autoritetet e XUAR-it duhet të mbyllin “Qendrat Famëkeqe të Trajnimit Profesional “, të lirojnë të burgosurit fetarë dhe të shpallin nje amnisti për të gjithë muslimanët në XUAR. Ato duhet të shfuqizojnë ligjet e “De-Ekstremizimit të Rajonit Autonom Ujgur të Xinjiangut” dhe te lejojnë ujgurët të jetojnë, praktikojnë dhe mësojnë fenë e tyre të lirë dhe pa kufizime moshe dhe ligjore. Kina nuk duhet të sillet si Egjipti i lashtë i Faraonëve me muslimanët. Përkundrazi, Kina duhet të mësojë nga Rusia, britanikët, osmanët dhe perandoritë e tjera të mëdha të historisë. Ajo duhet të përpiqet të fitojë zemrat dhe mendjet e qytetarëve të saj muslimanë, dhe te gjithe muslimanëve të planetit tonë që shqetesohen për vëllezërit e tyre muslimanë në Kinë. Duke i trajtuar muslimanët si qytetarë dhe duke pranuar Islamin si pjesë të mozaikut multikulturor të Kinës, Kina do të fitojë besnikërinë e qytetarëve të saj dhe admirimin e njerëzimit.

Kina është një vend i madh dhe i rëndësishëm në botën tonë. Zyrtarët e saj duhet ta ruajnë atë me dhembshuri dhe tolerancë. Duke i lejuar muslimanët të praktikojnë lirshëm Islamin, Kina do t’i bëjë vetes një favor te madh. Ajo do t’i kthejë qytetarët muslimanë qe sot ndjehen të poshtëruar në miq dhe patriotë të mëdhenj.

 

Une i lutem Allahut që ta bëjë Kinën qe të dëgjojë dhe kuptojë!

 

* Ligjërues i historisë, Universiteti UAMD, Durrës, Shqipëri

 

/Gazetaimpakt/dailysabah/

OPINIONE

INTERVISTA