Kina: Kurrë nuk do t’i përkulemi presionit të jashtëm

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Geng Shuang, ka deklaruar se vendi i tij nuk do t’i përkulet presionit të jashtëm me rivendosjen e tarifave amerikane për importet kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi thënë shumë herë se tarifat në rritje nuk do të zgjidhin ndonjë problem. Kina nuk do të dorëzohet kurrë ndaj presionit të jashtëm”, tha Shuang në një deklaratë me shkrim.

Të premten, SHBA rriti tarifat mbi 200 miliardë dollarë ndaj importeve kineze, në 25 nga 10 për qind, ndërsa Kina, nga ana e saj, u zotua se do të ndërmarrë “kundërmasa të nevojshme”.

Mbetet e paqartë se çfarë masash do të ndërmarrë Kina si kundërpërgjigje, por presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se mund të vendosë një taksë të re prej 25 për qind në mallra kineze me vlerë 325 miliardë dollarë, gjë që në mënyrë efektive do të përbënte ndëshkim mbi të gjitha mallrat e importuara nga Kina.

Sipas Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë, në vitin 2018 SHBA kishte 278,6 miliardë dollarë deficit tregtar me Kinën, fakt për të cilin Trump në mënyrë të përsëritur ka shprehur pakënaqësi./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne