“Kina mbështet përpjekjet e Turqisë për mbrojtjen e stabilitetit dhe sigurisë”

Ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Vang Yi, thotë se “Shpresojmë që Turqia do të marrë pjesë në mënyrë më aktive në çështjet ndërkombëtare, si një palë me rëndësi në bashkësinë ndërkombëtare”.

Pas takimit dypalëshe të ministrit kinez Vang Yi dhe homologut të tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe mes delegacioneve shtetërore, u mbajt një konferencë për mediat lidhur me marrëdhëniet mes këtyre shteteve dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke shprehur mirënjohjet për mbështetjen e treguar nga Turqia për “Politikën e Kinës së Vetme”, Vang, ka theksuar se këto dy shtete në mënyrë reciproke duhet ta përkrahin njëri-tjetrin në çështjet e ndjeshme.

Duke vënë në dukje se me Çavuşoğlun janë pajtuar që rritja e bashkëpunimit të këtyre dy shteteve në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtja e sigurisë së përbashkët është në interes të të dy palëve, kryediplomati kinez shprehet se “Kina do të mbështesë në mënyrë të vendosur përpjekjet e Turqisë për mbrojtjen e sovranitetit, stabilitetit dhe të sigurisë”.

Vang po ashtu tha se “Shpresojmë që Turqia do të marrë pjesë në mënyrë më aktive në çështjet ndërkombëtare, si një palë me rëndësi në bashkësinë ndërkombëtare”.

Problemet ndërkombëtare duhet të zgjidhen me dialog

Duke u shprehur se kanë qëndrime të qarta për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore, vazhdimin e paqes dhe të stabilitetit si dhe për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut dhe negociatave, Vang thotë se shteti i tij është kundër testimeve të raketave të Koresë së Veriut. Ai iu bëri thirrje palëve që t’iu shmangen akteve të cilat sjellin rritjen e tensioneve në rajon.

Duke folur edhe për tensionet mes të Palestinës dhe Izraelit për shkak të Al Aksa-së, ministri i Jashtëm kinez ka theksuar se çështja e Palestinës është “Themeli i kaosit në Lindjen e Mesme”.

Duke u shprehur se “Në qoftë se çështja e Palestinës nuk zgjidhet, paqja në Lindjen e Mesme nuk do të jetë e mundshme”, Vang thekson se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut dhe negociatave.

Ai po ashtu vë në dukje se Turqia ka një pozitë speciale në çështjen e Palestinës, ku shtoi se “Shpresojmë se çështja e Palestinës do të zgjidhet në mënyrë të përbashkët me bashkësinë kombëtare, ku përfshihet edhe Turqia”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne