Kina ndalon koncertin e këngëtarit kanadez Justin Bieber

Autoritetet e Kinës nuk lejuan që këngëtari kanadez Justin Bieber të mbajë koncert në kuadër të turneut të tij botëror, koncert i cili planifikohej të mbahej në fund të vitit.

Në një njoftim në faqen e internetit të Administratës së Kulturës Kineze thuhet se “Bieber nuk është lejuar të mbajë koncert për shkak të sjelljeve jo të mira dhe jo të mirëpritura nga shoqëria”.

Duke vënë në dukje se sjelljet e këngëtarit të njohur “në jetën private dhe sociale po ngjallin pakënaqësi në opinionin publik”, në njoftim theksohet nevoja e “pastrimit të skenave argëtuese”.

Justin Bieber për herë të fundit në vitin 2013 mbajti koncert në Kinë. Hipja në Murin e Madh të Kinës mbi supet e mbrojtësve të tij si dhe përdorimi i skateboardit në rrugët e Pekinit kishte ngjallur reagime dhe kritika të shumta ndaj tij.

Ndërkaq Bieber në vitin 2014 në Japoni vizitoi Tempullin Yasukuni, i cili u ndërtua në nder të viktimave të Luftës së Dytë Botërore. Edhe kjo vizitë e tij pati shkaktuar reagime të shumta tek kinezët.

Kina kishte ndaluar edhe koncertin e yllit të muzikës Lady Gaga meqë ajo gjatë vitit të kaluar ishte takuar me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, i cili nga qeveria e Pekinit shihet si “përçarës”.

Ndërkaq edhe grupi britanik ‘Oasis’ dhe ai nga SHBA-të ‘Maroon 5’ nuk arritën të marrin leje për koncerte në Kina për shkak se disa prej anëtarëve të tyre ishin takuar me Dalai Lama-n./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne