Kina reagon fuqishëm ndaj SHBA-së për shitjen e armëve Tajvanit

Përmes një deklarate nga Ministria, zëdhënësi Wu Qian ka bërë një vlerësim për miratimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë shitjes së armëve me vlerë prej 2,2 miliardë dollarë për Tajvanin duke përfshirë 108 tanke “Abrams” dhe 250 raketa “Stinger”.

“Forcat e Armatosura të Kinës janë shumë të pakënaqura dhe e kundërshtojnë me vendosmëri këtë”, tha Qian duke shtuar se Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i qëndrueshëm për të kundërshtuar me vendosmëri shitjen e armëve nga SHBA-ja për Tajvanin”, tha ai dhe theksoi se “sjelljet e gabuara” të SHBA-së shkelin në seriozisht parimin “Një Kinë”.

Duke argumentuar se administrata e Uashingtonit po rrezikon seriozisht zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake ndërmjet dy vendeve dhe po lëndon paqen e stabilitetin e rajonit të Tajvanit, zëdhënësi Qian tha: “SHBA-ja po ndërhyn në çështjet e brendshme dhe po dëmton interesat e sovranitetit dhe sigurisë së Kinës.”

“Tajvani është çështje e brendshme e Kinës. Ai ka të bëjë me të drejtat, interesat e Kinës dhe ndjeshmërinë e popullit kinez”, shtoi ai.

Më tej, zyrtari i Pekinit i bëri thirrje Uashingtonit që të respektojë politikën “Një Kinë”, të ndalë sa më parë të jetë e mundur shitjen e armëve për Tajvanin dhe të ndërpresë marrëdhëniet ushtarake me Tajvanin për të mos dëmtuar më tej marrëdhëniet ushtarake dypalëshe.

Pasi tërhoqi vëmendjen se ushtria kineze ka aftësi të mjaftueshme, vullnet të vendosur dhe vetëbesim për të eliminuar forcat e pavarësisë së Tajvanit dhe ndërhyrjet e huaja të çdollojshme, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës tha se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial kombëtar.

Departamenti amerikan i Shtetit miratoi të martën shitjen e armëve prej 2,2 miliardë dollarësh Tajvanit, pavarësisht kundërshtimeve kineze.

Kongresi njoftoi për vendimin e marrë mbi miratimin e shitjes së armëve luftarake, të cilat përfshijnë 250 raketa tip “Stinger”, 108 tanke “Abrams” dhe teknologji mbështetëse, sipas Agjencisë amerikane të Bashkëpunimit dhe Sigurisë së Mbrojtjes (DSCA), e cila operon nën urdhrat e Pentagonit.

“Armët do të ndihmojnë Tajvanin për të adresuar kërcënimet aktuale dhe ato të ardhshme rajonale dhe për të përmirësuar sigurinë duke ruajtur stabilitetin politik dhe ekuilibrin ushtarak në rajon”, tha DSCA-ja.

Muajin e kaluar, Ministria kineze e Punëve të Jashtme kritikoi marrëveshjen e mundshme të armëve në mes të tensioneve në rritje me SHBA-në./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne