Kina riafirmon mbështetjen për Pakistanin

Kina ka riafirmuar mbështetjen për Pakistanin në tensionet e fundit me Indinë dhe ka ritheksuar kundërshtimin ndaj çdo veprimi të njëanshëm.

Në një kumtesë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Pakistanit pas takimit të delegacioneve të udhëhequra nga ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mahmood Qureshi dhe homologu i tij kinez Wang Yi në Islamabad, Yi tha se marrëdhëniet mes dy shteteve bazohen në respekt dhe besim të ndërsjellë si dhe lidhje të forta miqësore.

Në kumtesë thuhet se Wang Yi riafirmoi mbështetjen e Kinës dhe përsëriti kundërshtimin ndaj çdo veprimi të njëanshëm dhe ndaj masave që mund të komplikojnë më tej situatën.

Në kumtesë më tej thuhet se dy delegacionet patën një shkëmbim të thellë të pikëpamjeve për të gjithë spektrin e marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjeve rajonale, veçanërisht situatën aktuale në rajonin Xhamu dhe Kashmir të okupuar nga India, ndërsa të dyja palët nënvizuan rëndësinë e pikëpamjeve të përbashkëta për procesin e paqes në Afganistan.

Ministri i Jashtëm kinez bashkë me një delegacion të nivelit të lartë të shtunën arritën në një vizitë dyditore në Islamabad, ku gjithashtu morën pjesë në raundin e tretë të takimit trepalësh Kinë-Afganistan-Pakistan.

Ministri i Jashtëm pakistanez Qureshi nga ana e tij falënderoi udhëheqësinë kineze dhe tha se vendi i tij është mirënjohës për mbështetjen e Kinës ndaj veprimeve të Indisë në Kashmir.

Qureshi informoi homologun e tij kinez për zhvillimin e situatës në Kashmir pas veprimit të Indisë më 5 gusht.

“Shtypja e vazhdueshme që zgjat mbi katër javë, bllokimi i vazhdueshëm dhe ndërprerja e komunikimeve dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut kanë krijuar një situatë të rëndë humanitare në Xhamu dhe Kashmir që duhet të adresohet urgjentisht”, tha Qureshi.

Ai informoi palën kineze për intensifikimin e shkeljeve të armëpushimit në të gjithë Vijën e Kontrollit (LOC) dhe theksoi se India mund të bëjë përpjekje për një operacion të rremë, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga krimet e saj në Xhamu dhe Kashmir, thuhet më tej në deklarën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Qureshi theksoi se miqësia me Kinën është gurthemeli i politikës së jashtme të vendit të tij dhe shtoi se bashkëpunimi strategjik mes dy shteteve bazohet në besimin dhe respektin e ndërsjellë dhe është bazament i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë.

“Pakistani do të vazhdojë të mbështesë Kinën në të gjitha çështjet e interesit të saj thelbësor, përfshirë Tajvanin, Tibetin, Xinjiangun dhe Hong Kongun”, tha Qureshi./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne