Kina sanksionon kompanitë amerikane për shitjet e armëve në Tajvan

Kina sot ka njoftuar se do të vendosë sanksione ndaj kompanive dhe individëve amerikanë për shitjet e armëve në Tajvan.

“Boeing, Lockheed Martin dhe Raytheon janë ndër listat e bizneseve dhe individëve amerikanë që do të përballen me sanksionet e Kinës për shitjet e armëve në Tajvanin e Kinës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, në një konferencë shtypi në Pekin, sipas transmetuesit lokal CGTN.

Kina pretendon se Tajvani është një “provincë e shkëputur”, ndërsa Taipei ka insistuar në pavarësinë e tij që nga viti 1949. Të paktën 16 vende e njohin atë si të tillë dhe kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Taipein.

Pekini javën e kaluar tha se do të bëjë “përgjigjen e nevojshme” kundër miratimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shitje të mundshme të armëve prej 1,8 miliardë dollarë në Tajvan.

Departamenti amerikan i Shtetit zyrtarisht njoftoi Kongresin për shitjet e planifikuara të armëve në Tajvan. Kina ka paralajmëruar vazhdimisht SHBA-të kundër çdo lëvizje të tillë.

Tajvani pritet të blejë tre sisteme armësh përfshirë sensorë, raketa dhe artileri që mund të kenë një vlerë totale prej 1,8 miliardë dollarësh.

Ky veprim ka zemëruar Pekinin i cili tha se një veprim i tillë “shkel rëndë parimin e një Kine dhe tre komunikatat e përbashkëta Kinë-SHBA”. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne