Bota

Kina teston me sukses avionin “AG600”, më i madhi amfib në botë

Kina testoi me sukses avionin më të madh amfib në botë, ndërkohë që televizioni shtetëror e transmetoi drejtpërdrejt të gjithë ngjarjen.

“Avioni, tip AG600, 37 metra i gjatë dhe me hapje krahësh prej 38,8 metrash, është i ngjashëm me një aeroplan, tip Boeing 737”, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve, “Hsinhua”.

Avioni u nis nga aeroporti i Zhuhait, në provincën e Guangdongut, pranë detit të Kinës Jugore dhe u ul një orë më vonë.

Për realizimin e tij u deshën 8 vite, ndërkohë që u projektua dhe realizua nga Kompania e Industrisë së Aviacionit të Kinës (AVIC).

Ky avion do të përdoret për shuarjen e zjarreve dhe operacionet detare të shpëtimit.

Kina ndodhet në mes të një fushate masive modernizimi të ushtrisë së saj, nismë e drejtuar nga Presidenti Xi Jinping, i cili erdhi në pushtet në vitin 2012./ TRT