Kinë – Diplomatët amerikanë largohen pas një sëmundjeje misterioze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evakuuar më shumë punonjës nga Kina, pasi një kontroll mjekësor ka treguar se mund të jenë duke vuajtur nga simptoma të ngjashme të një sëmundjeje të mistershme, si ajo që kaluan diplomatët amerikanë në Kubë.

“Një ekip mjekësor u dërgua të kontrollojë stafin qeveritar dhe familjarët e tyre, pasi një punonjës pësoi një incident mjekësor në Guangzhou, qytet në jug të Kinës”, deklaroi të mërkurën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

“Si rezultat i procesit të kontrollit deri tani, Departamenti i Shtetit ka dërguar një numër individësh për analiza të mëtejshme dhe një kuptim më të plotë të simptomave dhe rezultateve në SHBA”, tha Nauert.

E përditshmja “The New York Times” raportoi dje se të paktën dy persona u evakuuan pasi dëgjonin zëra apo zhurma të çuditshme.

Kjo ngriti shqetësimin se personat në fjalë, që u diagnostikuan me traumë në tru, mund të jenë bërë pre e sulmeve me ndonjë lloj aparati akustik apo mikrovale.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi të enjten se një taskforcë e veçantë është ngritur për të hetuar incidentet e pashpjegueshme shëndetësore.

Për shkak të sulmeve misterioze në vitin 2016, një grup prej 24 personash, mes të cilëve diplomatë amerikanë në Kubë dhe anëtarë të familjeve të tyre, patën kaluar shqetësime të ngjashme me traumën në tru.

Autoritetet amerikane që hetuan ngjarjen me dyshimin e një sulmi sonik, nuk u prononcuan asnjëherë publikisht mbi shkakun apo autorin e mundshëm të ngjarjes.

Ndërsa qeveria kubane deklaroi se nuk ishin në dijeni të ndonjë sulmi të çfarëdoshëm./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne