Kinë – Xi Jinping: Të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur takimi Trump-Kim

Presidenti kinez, Xi Jinping, deklaroi se kërkon që samiti i njoftuar të premten mes homologut të tij amerikan, Donald Trump dhe liderit koreanoverior, Kim Jong-Un, të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, njoftoi të shtunën media shtetërore kineze.

“Në një bisedë telefonike me Presidentin amerikan, Trump, Presidenti Xi i tha atij se shpresonte që dy palët duhet të tregonin vullnet dhe të bënin gjithçka për përmirësimin e situatës në gadishullin Korean”, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve, “Hsinhua”.

Nëse ky samit do të zhvillohet, atëherë kjo do të jetë hera e parë që një president amerikan takohet me një lider të Koresë së Veriut dhe mund të përfaqësojë një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet shumëvjeçare për vendosjen e paqes në rajon.

“Besoj që nëse të gjitha palët ndjekin drejtimet e duhura politike dhe diplomatike, atëherë ne sigurisht që do ta zgjidhim çështjen e gadishullit Korean, zgjidhje që komuniteti ndërkombëtar po e pret me padurim”, theksoi Xi.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë garantoi se Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, ishin dakord për të mbajtur sanksionet që prekin Korenë e Veriut, një ditë pas njoftimit të një takimi mes Trump dhe Kim Jong-Un.

“Dy krerët përshëndetën perspektivën e një dialogu mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut dhe janë të angazhuar të mbajnë presionin dhe sanksionet deri sa Koreja e Veriut të marrë vendime në drejtim të denuklearizimit të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm”, sipas një përmbledhje të bisedës së tyre telefonike të publikuar nga ekzekutivi amerikan.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, pritet të zhvillojë në maj një takim me Presidentin amerikan, Donald Trump, njoftoi të premten në Uashington, Chung Eui-Yong, një zyrtar i lartë i Sigurisë së Koresë së Jugut, çka përbën një zhvillim të paprecedentë. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne