Klasa e mesme ndërmjet zhvendosjeve globale

Shkruan: Elma BERISHA

Konfiguracioni gjeopolitik global në mënyrë aq drastike dhe pakohësisht ka ndryshuar dhe akoma po ndryshon para syve tanë sa që, me fjalë zhizhekiane, as vetë F. Fukujama sot më nuk ka mbetur fukujamist. Vetëm në qindvjeçarin e fundit nga një botë multipolare u kalua në botën bipolare të Luftës së Ftohtë, në atë unipolare të viteve 90-ta dhe tani me ngritjen e Kinës, drejt një konstelacioni të ri global ende të padefinuar. Një shembull konkret për ilustrimin e zhvendosjeve globale, larg nga ngjyrimet e njëanshme politike e ideologjike, është përfillja e trendeve socio-ekonomike të të ashtuquajturës ‘klasa e mesme’. Termi ‘klasë e mesme’ është një shprehje joekzakte duke qenë se definimi i saj dhe konotacionet ndryshojnë sipas vendit dhe përdorimit. Në thelb, nocioni i klasës së mesme ka të bëjë me rritjen e një shtrese të konsiderueshme të popullsisë që përveç përqasjes së bollshme ndaj mjeteve ekonomike (minimum 10 dollarë të ardhura ditore, ndërsa kufiri i epërm ndryshon nga 20, 50 ose 100 dollarë në ditë), ka qasje ndaj mjeteve cilësore për arsimim e punësim, ushtrim profesional e artizanate, sipërmarrje biznesi, sigurim social, pjesëmarrje politike dhe angazhim të të gjitha përmasave kulturore e mediatike. Klasa e mesme është ajo që vie ndërmjet elitave dhe shtresës së varfër. Duke qenë shumicë dërrmuese, klasa e mesme është më e rëndësishme se elitat. Është më e rëndësishme se shtresa e varfër duke qenë se fuqizohet më efektivisht me dije dhe kërkesa reformuese, fuqi blerëse dhe mobilizim vote. Historikisht, klasa e mesme në shoqëritë perëndimore është përshëndetur si paragon i demokracisë dhe prosperitetit, flamurtar i vlerave kombëtare dhe kulturore, arbitër i arenës elektorale. Shumë është shkruar për rolin pozitiv të klasës së mesme në transformimet demokratike dhe emancipuese të shoqërive perëndimore. Pothuajse çdo e arritur shoqërore në perëndim i është detyruar kontributit dhe përpjekjeve të klasës së mesme. Në fakt, një shembull që kërkon të vë në pah këtë rol citon muzën ironike se ishin pajisjet elektrike të kuzhinës që ekspozoheshin në TV dhe komforti i klasës së mesme amerikane ato që fituan Luftën e Ftohtë, dhe jo garimi i teknologjisë së armëve. Njerëzia anekënd botës u inspirua nga jetesa e klasës së mesme amerikane në shekullit njëzet dhe aspiruan drejt saj, duke lënë anash preokupimet e thata ideologjike.

Jo se psikologjia e njeriut mesatar ndryshon, porse rrjedhat dhe dinamikat gjeopolitike gjithnjë gjejnë mënyra të reja t’i zvarritin ata brenda vorbullës së tyre. Po bëhet një kohë që tituj bombastikë mediash kumtojnë tkurrjen e klasës së mesme në shoqëritë perëndimore. “Klasa e mesme amerikane: një specie ekstinkte?”, “Vdekja e çuditshme e klasës së mesme britanike”, “Erratum: Polarizimi dhe rënia e klasës së mesme: Kanadaja dhe SHBA-të”, “Shtrydhja e klasës së mesme? Klasa shoqërore dhe sfidat financiare në Irlandë, 2002-2012”. “E ardhmja e historisë: A do ta mbijetojë demokracia liberale rënien e klasës së mesme”. Megjithatë në të njëjtën kohë, posikur në një univers paralel, tituj tjerë kumbojnë në të njëjtat medie, në një mënyrë të tillë pa tradhtuar as më të voglën ndjesi kontradikte: “Rritja e paprecedent e klasës së mesme globale”, “Globalizimi dhe zgjerimi i klasës së mesme globale”, “Mirësevini në valën e ardhme të klasës së mesme globale”. Bifurkacioni i tillë i trendeve nuk është i pabazë. Ai mbështetet në të dhëna statistikore, atyre të shënuara në dekadat e fundit si dhe ekstrapolimeve deri me 2030. Përderisa rënia e klasës së mesme regjistrohet për vendet e zhvilluara, eksplodimi i saj në nivelin global vie kryesisht nga Azia. Kjo e fundit lidhet me rritjen e fuqishme të tregut në Azi, që nënvizohet direkt nga rritja e përgjithshme e popullsisë, forcës punëtore si dhe fuqisë blerëse e konsumuese. Ndërsa ky treg i freskët dhe i etshëm global në Azi shihet si magnet për oferta dhe investime, dhe njëherësh si motor rritjeje ekonomike, tregu i zhvilluar perëndimor mbetet në fazë stagnimi, duke qenë tanimë i ngopur dhe me kërkesa të kufizuara tregu. Posaçërisht, pas krizave të fundit financiare, klasa e mesme në Perëndim po ballafaqohet me ngrirje të pagave, ulje punësimi dhe sigurie, inflacion, humbje beneficionesh, polarizim apo rritje të pabarazisë ekonomike. Shpërfaqja e parokializmit, separatizmit, racizmit, islamofobisë dhe ksonofobisë këto vitet e fundit në Perëndim, përveç tjerash numërohet si pasojë e de-emancipimit socio-ekonomik të klasës së mesme. Të përkujtojmë se klasa e mesme në Perëndim ende përfaqëson shumicën e popullsisë dhe se, nëse përkthehet gjuha thelbësore e këtij nocioni, nuk mund të ketë shoqëri stabile nëse diskriminohet kundrejt një numri të madh të shumicës së shoqërisë.

Fig1. Ndryshimi regjional i përqindjes së klasës së mesme ndërmjet 1990-2008 (The Rise of Asia’s Middle Class, Key Indicators for Asia and the Pacific 2010, Asian Development Bank (2010); data based on household survey means, 1990-2008.)

Në anën tjetër, sa i përket rritjes së klasës së mesme në Azi dhe regjione tjera, nuk është hera e parë që një fuqizim i tillë socio-ekonomik shënohet në nivel global. Historikisht thuhet se kjo është vala e tretë e arritjes së klasës së mesme globale. Për dallim nga dy valët e para që u paraqitën në Amerikë dhe Evropë, gjegjësisht në shekullin 19 me revolucionin industrial dhe në shekullin 20 pas Luftës së Dytë Botërore, kjo e fundit po paraqitet në Azi. Përveç Azisë, regjione të caktuara në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Amerikë Jugore, janë përfshirë në këtë fazë të fuqizimit masiv ekonomik. Vetëm në dekadën e parë të këtij mijëvjeçari të ri, popullsia globale e klasës së mesme u dyfishua. Sipas ecurive të tanishme ekonomike, pritet që me 2030 dy miliardë tjerë t’i bashkëngjiten radhëve të klasës së mesme globale, gjë që përbën nja lajm të mrekullueshëm kur është fjala për objektivat e mijëvjeçarit për zhdukjen e varfërisë. Nga gjithsej 8.5 miliardë popullsi globale e paraparë më 2030, 5.4 miliardë parashihet të jenë klasë e mesme. Ndërsa nga gjithsej 5.4 miliardë klasë e mesme globalisht, 65% pritet të jetojnë në Azi. Nëse ky skenar do të arrihej, kjo do të ishte një hap i madh për njerëzimin duke qenë se aktualisht pjesa dërrmuese e popullsisë globale, fatkeqësisht, ende qëndron në nivel të të ardhurave të ulëta. Me pak fjalë, një proces i nxjerrjes së popullatës globale nga varfëria në një nivel të jetesës normale mesatare nuk mund të jetë veçse lajm i mirë në përputhje me gjithë progresin e shumëpërfolur teorik. Rrjedhimisht, të gjitha parametrat teorik dhe normativ, të evidentuara historikisht, paralajmërojnë për një net-effekt pozitiv global, në demokratizimin e shoqërive dhe stabilizimin e tyre kudo që këto klasa të mesme po fuqizohen. Përveçse jo, këtu narrative e kahmotshme pozitive duket se po kthehet përmbys. Tituj me bollëk paralajmërojnë pikërisht të kundërtën e saj që do të duhej të pritej normalisht, se rritja e klasës së mesme globale është potencial për destabilitet dhe probleme të reja: “Klasa e mesme globale: një forcë për radikalizim”, “Klasa e mesme tashmë një forcë destabilizuese”, “Rritja e parrezistueshme e klasë së mesme muslimane”, “A do të tronditë klasa e mesme Kinën?”, “Këto 5 fakte sqarojnë destabilitetin e klasës së mesme globale”. Natyrisht se nga aspekti ekonomik kjo lloj përmbysje e narrativës nuk është fare e bindshme. Kur në Perëndim klasa e mesme luftoi për më shumë të drejta socio-ekonomike dhe demokratike, më shumë shërbime nga shteti i mirëqenies, ajo shtyti ekonominë dhe demokracinë të lulëzojë dhe sofistikohet. Klasa e mesme shihen si heronj. Ndërsa tani në joperendim, kur klasa e mesme ka arritur na pikën e ngjashme të trajektores së përshkruar, druajtja është se qeveritë joperendimore do të dështojnë të përmbushin kërkesat e tyre. Kryesisht për shkak të numrit të madh të klasës së mesme (që normalisht do të duhej shihej si avantazh) dhe ambicieve më të pakta demokratike (që normalisht është vetëmse një paragjykim kulturor), jostabiliteti mund të shpërthejë. Por faktikisht, deri më tani efekti pozitiv socio-ekonomik i rritjes së klasës së mesme është ndjerë pothuajse ngjashëm me përvojën perëndimore. Sipas recetës, nëpërmjet presioneve popullore, klasa e mesme i dha fund regjimeve ushtarake në Turqi, në Indonezi, në Filipine, në Brazil, në Tunizi, në Pakistan, ndonëse tentimet dështuan në Egjipt, Siri, Tajlandë, Bahrejn, etj. Me gjasë, klasa e mesme po sillet njëjtë sikur në Lindje sikur në Perëndim. Stabiliteti dhe jostabiliteti po varen nga aktorët e regjimeve, të cilët po sillen ndryshe në Lindje e ndryshe në Perëndim.

Më 2015 Kina tejkaloi SHBA-të për tregun numër një të klasës së mesme. Ndërmjet 1990 dhe 2005 vlerësohet se Kina nxori nga varfëria ekstreme më se 470 milionë të popullatës së saj. Më 2015 shpenzimet e turistëve kinez në nivel global tejkaluan shpenzimet e turistëve amerikanë, gjermanë, britanikë dhe francez, të gjithë tok me një anë. Ndryshimet e tilla të pazakonta po ndodhin para syve, jo vetëm po parashikohen. Ditë më parë në tetor 2017 Partia Komuniste e Kinës me 85 milionë anëtarë organizoi kongresin e saj të 19-të në Pekin ku akomodoi mijëra delegatë, dhe ku Xi Jinping mbajti fjalim për 3.5 orë rresht. Në një çorbë amorfe të kapitalizmit global, komunizmit konformist dhe trashëgimisë perandorake kineze, pa kurfarë dekori apo pretendime në kredenciale demokratike, kongresi manifestoi një “stabilitet” politik të pashoq. Krejt kjo përderisa Trump po merrej me zënkën apo moskuptimin e radhës në Twiter, e kur Putinit i mbetej rendi që në eveniment të rastit të kërkonte nga publiku amerikan të “respektonin” presidentin e tyre. “Iniciativa Rrip dhe Rrugë” ose “Një Rrip Një Rrugë” siç u quajt fillimisht, u lancua në 2017. Shifrat e investimeve lënë të kuptojnë se kjo ka të bëjë me më tepër se ringjallje simbolike e legacisë së Rrugës së Mëndafshit. Me miliarda dollarë investime Kina ka bërë 65 shtete të abonohen në këtë projekt kolosal. 150 miliardë në vit investime janë nënshkruar për anëtarët e skemës. Një Rrip i referohet lidhjeve kontinentale ndërmjet Kinës dhe Evropës ndërmjet Azisë qendrore dhe perëndimore, Iran, Turqi, Lindje të Mesme dhe Ballkan. Një Rrugë i referohet lidhjeve detare nëpërmjet Detit të Kinës Jugore, Oqeani Indian, portet afrikane, Deti i Kuq, Mesdhe e deri në veri të Adriatikut, në Venedikun legjendar. Gjithsej nga vendet evropiane 25 janë pjesë e iniciativës dhe 18 tjera janë partnerë nëpërmjet skemave të AIIB-së. Pyetja madhore që qarkullon është: a mund t’i besohet Kinës? Kina zyrtare insiston se kjo është pjesë e tregut të lirë, me objektiva për sjelljen e oportuniteteve të paqes, biznesit, partneritetit dhe përfshirjes ekonomike. SHBA-të, Japonia, Bashkimi Evropian, India kanë rezervimet e tyre. A është kjo horizont i ri shprese apo vdekja e nocionit të klasave të mesme dhe reformave që sjell fuqizimi i saj? A është ky fillim i demonstrimit të ‘fuqisë së butë’ të Kinës, ku flirtimi i tillë megamilionësh u vie si një puhi e lehtë radhës së gjatë së diktatorëve që nga skaji lindor i Azisë te ai perëndimor. Kina shquhet për marrëdhënie të shkëlqyeshme diplomatike me regjimet si ai i Koresë Veriore, Mianmarit dhe Serbisë.

Duke qenë një iniciativë e re, raportet dhe analizat mbi “Rrip dhe Rrugë” janë ende të pakta dhe të paplota, ndërsa diplomacia globale ende në fazë përgjuese. Ndoshta kjo nuk do të kishte shkaktuar aq shqetësim sikur shpalimi i saj të mos vinte në të njëjtën kohë kur lidershipi global i SHBA-ve po pëson shenja zmbrapsjeje dhe Putini po ngre kokë. Përderisa Trump është fokusuar në punët e brendshme, Kina po pretendon lidership global. Përderisa Kina shpenzon miliarda në investime të jashtme, SHBA po zvogëlon grantet, duke kërkuar daljen nga programet e ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, që nga ai i klimës globale, programet shëndetësore, të imigrantëve, ato për zhvillim dhe siguri, etj. Për Trump, shkurtimi i buxhetit të NATO-në ka qenë subjekt i diskutimeve që nga ditët e tij të para presidenciale. Përderisa Trump flet për mure dhe izolim nga tregu i lirë, Kina po ndërton ura dhe porte për versionin e saj të tregut të lirë. Ndoshta tregimi optimist i klasës së mesme më së mirë të ishte përmbushur sipas një versioni egalitarian fukajamist, minus narrativat përmbysëse. Apo, ndoshta ripërtëritja e Rrugës së Mëndafshit sjell një konvergjencë ndërmjet fatit të klasave të mesme në Perëndim dhe kudo gjetkë, në një bashkërendim më të përafërt win-win./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne