Kleriku i Vatikanit i akuzuar për abuzim seksual kthehet në Australi

Kleriku më i lartë i Vatikanit që do të akuzohet ndonjëherë në skandalin e abuzimit seksual të Kishës Katolike Romake, George Pell, është kthyer në Australi të hënën për të dalë në gjyq në shtetin e tij, me akuza për abuzim seksual të fëmijëve vite më parë.

Kardinali George Pell, këshilltari i lartë financiar i Papa Françeskut, i është shmangur mediave në pritje kur ka mbërritur në aeroportin e Sidneit, pas një fluturimi nga Singapori. Ai po ashtu nuk kishte pranuar të komentonte në Singapor gjatë fundjavës, teksa po kthehej në Australi nga Roma.

Kleriku 76-vjeçar do të shfaqet në një gjykatë në Melburn më 26 korrik për abuzime seksuale ndaj fëmijëve vite më parë. Policia ka thënë se ka shumë ankues ndaj tij, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

Pell është i lirë përpara gjykimit, gjatë të cilit ai mund të aplikojë zyrtarisht për lirim me kusht.

Kur policia njoftoi akuzat muajin e kaluar, Pell u zotua për të luftuar kundër akuzave, duke thënë se “E gjithë ideja e abuzimit seksual është e neveritshme për mua.”

Ndryshe, Pell u thirr në gjykatë në Australi në fund të qershorit me akuzën se ka ngacmuar seksualisht më shumë se një fëmijë në qytetin Ballarat, ku ishte në detyrë gjatë viteve të 70-ta.

Kardinali Pell, i cili sipas hierarkisë është emri i tretë i Vatikanit, përmes një deklarate me shkrim nga Kisha Katolike e Sidnejit kishte refuzuar akuzat ndaj tij, duke deklaruar se do të vijë në Australi “për ta pastruar emrin”.

Ai edhe më herët kishte dhënë deklaratë para Komisionit Mbretëror të formuar për hetimin e pohimeve për ngacmim seksual të fëmijëve në kishat katolike gjatë viteve 1980-2010, ku në tetor të vitit 2016 ishte takuar vullnetarisht me nëpunës policorë australianë që kishin shkuar në Romë.

Si rezultat i hetimeve të Komisionit Mbretëror të formuar në vitin 2013 në Australi, ishte deklaruar se 4.444 fëmijë kanë pësuar ngacmim apo përdhunim nga priftërinjtë nëpër kisha. Komisioni në fjalë, i cili është institucioni më i lartë hetimor në Australi, ende i vazhdon punimet./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne