Shqiperia

KLP fut në garën për KED 35 prokurorë më shumë se viti i kaluar

Nga Vincent Van Gerven Oei

Më 15 nëntor Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) publikoi listën e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin 2020. Lista përmban 11 kandidatë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe 16 prokurorë nga Prokuroritë e Apelit.

Çfarë vihet re, është se lista e kandidatëve e hartuar nga KLP është më e gjatë se lista e vitit 2018 e hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme për zgjedhjen e KED 2019. Lista përfundimtare përmbante vetëm një kandidat nga Prokuroria e Pergjithshme, Arta Markun dhe një nga Prokuroria e Apelit, Fatjona Memçajn.

Lista me prokurorë të cilët nuk u kualifikuan ishte e gjatë, dhe të gjithë kishin të përbashkët faktin se nuk kishin mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por përmbushnin kriteret e tjera ligjore të përcaktuara nga Ligji Për Qeverisjen e Drejtësisë.

Në listën e publikuar së fundmi nga KLP, 35 nga 37 kandidatë të kualifikuar, u skualifikuan vitin e kaluar. Kjo do të thotë që këta kandidatë ose arritën të mbaronin Shkollën e Magjistraturës brenda një viti, ose KLP vendosi të injorojë nenin 221(1)(d) të Ligjit për Qeverisjen e Drejtësisë, i cili qartësisht përcakton se”Magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës”. Kjo e fundit ka më shumë mundësi.

Kjo tregon edhe një herë, se reforma në drejtësi është hartuar keq, duke mos marrë ose marr pak në konsideratë realitetin në Shqipëri. Nëse kërkesat e nenit 221 do të ndiqen në mënyrë korrekte, sërish do të kemi vetëm dy kandidatë për tre pozicione të planifikuara për prokurorinë në KED: Arta Marku dhe Fatjona Memçaj.

Fakti që KLP ka zgjeruar zgjedhjen për KED të vitit të ardhshëm është në vetvete diçka pozitive, por kjo vjen në kurriz të shkeljes së kritereve të përcaktuara në Ligjin për Organet e Qeverisjes. Prandaj është një veprim që bie në kundërshtim me një parim themelor të reformës në drejtësi: të krijosh një sundim të fortë të ligjit.

Javët e fundit, ne kemi parë se si janë shkelur një sërë ligjesh të ndryshme të reformës në drejtësi dhe Kushtetutës, nga pothuajse të gjithë aktorët e përfshirë. Pranimi i këtyre shkeljeve si status quo i ri do të thotë të pranosh dështimin e reformës dhe një vazhdim të së njëjtës situatë.

Exit.al i ka shkruar KLP-së për të konfirmuar nëse kandidatët kualifikues kanë përfunduar apo jo Shkollën e Magistraturës./ exit

Etiketa

OPINIONE