Shqiperia

KLSH kallëzon tre zyrtarë të ALUIZNI-t

Një raport voluminoz i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljes në procedurat e legalizimit të objekteve në Tiranë, ku shumë banesa janë në fazën e legalizimit pavarësisht se janë të ndërtuara në rrugë, trotuare dhe vende të ndryshme publike.

Bëhet fjalë për 41 njolla të zeza në zonën e Drejtorisë ALUIZNI 2 në Tiranë,ku në total janë 204 objekte. Ndërkohë sipas KLSH shumë objekte janë legalizuar ndërkohë pa u plotësuar me dokumentacionin e nevojshëm dosja e aplikuesit, duke përfshirë këto deklaratat noteriale të banorëve.

Mësohet se nga ana e audituesve të Kontrollit të Lartë është referuar në prokurorinë e Tiranës, një indicia për ndjekjen penalë për “Shpërdorim detyre” për përgjegjësin e sektorit të hartografisë Arben Sevdari, përgjegjësin e sektorit të Urbanistikës Edvin Konica dhe ish-drejtoreshën e ALUIZNI 2 në Tiranë, Anila Naumi.Çështja ndaj këtyre tre personave që prej muajit Maj ndodhet në prokurorinë e Tiranës. Sipas KLSH këta tre zyrtarë kanë dëmtuar interesat e shtetit dhe favorizuar subjektet private.

Konkretisht nga auditimi i ushtruar në ALUIZNI Tirana nr. 2, në 1660 raste në kualifikimin e objekteve informale, ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 32,385,690 lekë.KLSH rekomandon që drejtoria ALUIZNI-t Tirana 2, të plotësojë dokumentacionin tekniko-ligjor të objekteve me lejeve të legalizimit të lëshuara, t’i kërkojë Bashkisë Tiranë vërtetimin mbi llogaritjen e likuidimin e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për 1660 rastet në vlerën prej 32.385.690 lekë.

OPINIONE